Hetimi për tragjedinë në Koçan, Selmani: Rasti mund të marrë epilog politik

Mendësia e korrupsionit, mendësia ish-komuniste gjyqësore dhe mendësia politike si duket nuk do të ndryshojë dhe nuk do të le të funksionojë sistemi gjyqësor në mënyrë të pavarur.

Kështu vlerëson eksperti juridik, Bashkim Selmani, sa i përket hetimit për rastin tragjik në Koçan.

Sipas tij, sa më shumë që flitet në publik për këtë rast, aq më shumë ngrihen dilema se edhe rasti i Koçanit mund të ndikohet edhe sikurse tragjeditë e mëparshme të marrë epilog politik. Çdo ndërhyrje apo përzgjedhje e koordinuar e autorëve të fajësisë apo anashkalimin e përgjegjësve reale i jep kahje tjetër hetimit.

“Hetimi i seleksionuar apo hetimi i përzgjedhur në aspektin e procedurës penale është një nga dëmet më të mëdha që mund të bëhet hetimi, për arsye se çdo lajthim nga gjendja faktike e terrenit, nënkupton edhe humbjen apo lajthimin e pistës së hetimit apo autorëve që mbajnë apo jo përgjegjësi. Një gjë është e ditur se të gjitha institucionet që shkrumbuan këta njerëz kanë përgjegjësi për nga papërgjegjësia institucionale. Kjo përgjegjësi institucionale është edhe kolektive, për arsye se kjo është dëshmuar edhe në aspektin publik.”, – deklaroi eksperti juridik, Bashkim Selmani.

Selmani: Hetimi selektiv, i dëmshëm për procedurën

Sipas Selmanit, e kaluara na dëshmon se në raste të tilla siç ishin edhe fatkeqësia në Llaskarcë, Spitali Modular dhe fatkeqësia me autobusin e “Besa Transit”, shteti nuk gjeti seriozitetin për dhënien në funksion të drejtësisë dhe dhënien e dënimit të merituar të personave përgjegjës, andaj në këtë rast na duhet ndihmë ndërkombëtare.

“Mendimi jonë është i bindur nga e kaluara dhe aktualisht që të mos ekzistojnë dilema të tilla do të ishte mirë që të kishte një hetim ndërkombëtar i pavarur nga aspekti politik, ekonomik, juridik etj., sepse të gjitha këto janë forma të pakujdesisë dhe shpresojmë që një ndihmë e vogël ndërkombëtare do t’i jepte epilog jo vetëm kësaj tragjedie, por edhe tre tragjedive paraprake dhe kjo do të rikthente besimin te qytetarët dhe vënien në funksionim të shtetit dhe së drejtës.”, – theksoi eksperti juridik, Bashkim Selmani.

Edhe fatkeqësia e Koçanit, sipas Selmanit, është si pasojë e mosndëshkueshmërisë të fatkeqësive paraprake. Rasti me fatkeqësinë në diskotekën “Puls” në Koçan, si pasojë e së cilës humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 mbetën të lënduar, ndodhet në fazën hetimore, ku të angazhuar janë 11 prokurorë.