Nesër seanca e radhës e Kuvendit: A do të dështojë sërish zgjedhja e Kryeparlamentarit?

Që nga 15 prilli, data kur Presidentja Vjosa Osmani dha dritën jeshile për konstituimin e Kuvendit, tri tentativa radhazi kanë dështuar. Tre seanca të dështuara dhe një e katërt në horizont – pritet të ketë të njëjtin fat në mungesë të numrave të nevojshëm për zgjedhjen e Kryeparlamentarit, nëse emri i propozuar nga deputeti i VV-së, Albin Kurti, mbetet i njëjti.

Kandidatura e Albulena Haxhiut për të udhëhequr Kuvendin u rrëzua dy herë me të njëjtin bilanc – vetëm 57 vota për çdo raund – duke e konfirmuar se Vetëvendosje mbetet larg 61 votave për ta imponuar vullnetin e saj institucional.

Pavarësisht dështimi në dy seanat e para, VV s’ka dhënë shenjë gatishmërie për kompromis, duke insistuar në ri-nominimin e së njëjtës kandidate në seancën e nesërme – një përpjekje që sipas të gjitha gjasave do të dështoj sërish.

Nisma, e përfolur për një pakt të heshtur me VV-në në formimin e qeverisë, zgjodhi të abstenojë. Abstenimi i kësaj partie e la kandidatën e VV-së në 57 vota; të pamjaftueshme për ta udhëhequr institucionin më të rëndësishëm të Republikës.

Deputetja boshnjake Duda Balje gjithashtu nuk dha votë ‘pro’ emrit të propozuar nga partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit. Në votim nuk mori pjesë as Adem Hoxha, përfaqësues i partisë goranë në Kuvendin e Kosovës.

Madje, në një deklarim në emisionin “Kallxo Përnime” mbrëmjen e së shtunës, Balje bëri të qartë se do të qëndrojë në opozitë dhe se nuk do të ndryshojë mendje.

“Tash edhe me qenë unë në opozitë nuk ka me ndryshu asgjë. Unë jam e sigurt që Vetëvendosje ka me gjetë zgjidhje. Ne sot kemi vendosë me shku në opozitë. Ne sot kemi vendosë dhe nuk besoj që ka me ndodhë ndonjë ndryshim” – deklaroi Duda Balje.

Deklarata e saj, sipas Eugen Cakollit nga DnV, “e betonon edhe më tej ngërçin politik”, duke e zbehur jo vetëm mundësinë për zgjedhjen e kryeparlamentares, por edhe për formimin e qeverisë.

“Qëndrimi i Baljes e betonon situatën edhe më tej. Pra, jo vetëm që nuk ka vota të nëvojshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por nuk do t’i ketë votat me një tempo të tillë as për formimin e Qeverisë.”

Sipas tij, kjo situatë tashmë po shfrytëzohet për të blerë kohë, pasi pa konstituim të Kuvendit, nuk nis as afati 15-ditor për caktimin e mandatarit.

“Rrjedhimisht, unë besoj që çështja e kryetarit të Kuvendit tashmë do të shfrytëzohet si karrem për blerje kohe mëqenëse nuk janë votat për Qeveri. Në mungesë të konstituimit të Kuvendit, nuk do të fillojnë asnjë prej afateve, përfshirë afatin 15 ditor për mandatarin për formimin e qeverisë.” – tha ai në “Kallo Pernime”.

Aktualisht, Vetëvendosje mbetet me 57 vota dhe me dy përpjekje të pasuksesshme për ta kaluar kandidaturën e saj për kryeparlamentare. Pa këtë hap, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar – pavarësisht nëse deputetët janë certifikuar nga KQZ-ja apo janë betuar.