5 ushqimet më të shtrenjta në botë

Teknika të veçanta kultivimi, mbarështues skrupuloz dhe, ndonjëherë, mashtrim. Ka shumë faktorë që mund të bëjnë që një ushqim të arrijë çmime shumë të larta.

Fruta, kërpudha në rrezik zhdukjeje, mish i rritur me teknika shumë të veçanta. Këto bëjnë pjesë në listën e ushqimeve kaq ekskluzive sa mund të arrijnë çmime marramendëse, shpeshherë protagonistë të ankandeve që thyejnë rekorde dhe të destinuara për tavolinat e më të pasurve.

Por cilat janë pesë ushqimet më të shtrenjta në botë?

Pjeprat Yubari King

Në radhë të parë gjejmë pjeprin Yubari King, një varietet që rritet në serra të veçanta të vendosura në Yubari, në ishullin Hokkaido të Japonisë. Ky është një hibrid midis dy llojeve të pjeprave. Çfarë ka kaq të veçantë për to? Një tul portokalli i ndezur shumë i ëmbël dhe me lëng, një formë perfekte sferike dhe një lëkurë e njëtrajtshme në formë rrjete.

Çdo bimë prodhon vetëm një pjepër në vit dhe fermerët kujdesen me obsesion për dritën, temperaturën dhe lagështinë, pasi ato kontrollohen nga dita në ditë. Së fundi, uji i përdorur për ujitje është vetëm mineral. Dy pjeprat e parë të sezonit dalin në ankand çdo vit. Në vitin 2019, ata u shitën për një rekord prej 5 milionë jenësh, ose rreth 40,000 euro.

Havjar me ngjyrë fildishi

Vendi i dytë shkon për havjarin Almas, i konsideruar si diamanti persian dhe i marrë nga blitë iranianë albino Beluga, të cilët janë jashtëzakonisht të rrallë dhe aq jetëgjatë sa mund të jetojnë për më shumë se njëqind vjet. Vezët e tyre me ngjyrë fildishi janë shumë më të lehta se ato të havjarit klasik, kanë një qëndrueshmëri të butë, kremoze dhe një aromë delikate. Ky lloj havjari prodhohet në sasi të kufizuar dhe shitet në kuti ari 24 karatësh, me vlerë mbi 25 mijë euro për kg.

Kërpudha japoneze

Kërpudhat Matsutake, në vendin e tretë, rriten në pyjet halore japoneze. Ato janë shumë të rralla dhe kanë një aromë intensive, pikante. Grumbullimi i tyre çdo vit bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak të humbjes së habitatit natyror dhe për këtë arsye mund të arrijnë deri në 2 mijë euro për kg. Këto kërpudha festohen në kulturën japoneze si simbol i stinës së vjeshtës dhe gatuhen në receta të thjeshta, shpesh në lëng mishi ose me oriz, në mënyrë që të mos mbulojnë aromën e tyre të veçantë.

Çokollata më e shtrenjtë në botë

Në vendin e katërt me diferencat e duhura në krahasim me pjesën tjetër të produkteve në renditje është çokollata e prodhuar nga Noka, një kompani nga Teksasi e njohur për koleksionin e saj ekskluziv Vintage me vlerë rreth 1700 dollarë për kg. Ky koleksion, i përbërë nga çokollata të zeza me origjinë nga Venezuela, Bregu i Fildishtë dhe Ekuadori, me 75 për qind kakao të hidhur, kishte një “udhëzues shijimi” brenda çdo kutie për të përmirësuar përvojën ndijore të pjesëve individuale. Megjithatë, në vitin 2011, një hetim zbuloi se çokollata Noka erdhi nga një kompani franceze shumë më e lirë. Ky zbulim çoi në mbylljen përfundimtare të kompanisë më vonë atë vit.


Bifteku Kobe

Së fundi, në vendin e pestë është bifteku i viçit Kobe, një nga më të çmuarit në botë, i cili mund të arrijë deri në 1000 euro për kg. Disa legjenda urbane thonë se këto bagëti, një variant i racës Ëagyu, marrin kujdes obsesiv gjatë gjithë jetës së tyre. Përtej mitit, ekzemplarët e racës Tajima, të rritura në rajonin Kobe të Japonisë, me të vërtetë marrin kujdes të veçantë. Rezultati është një mish aq i mermeruar dhe i butë sa duket si gjalpë , prandaj vetëm disa viça çdo vit arrijnë të marrin certifikatën zyrtare “Kobe beef” dhe në restorantet që mund të mburren se e servirin, një biftek mund të kushtojë lehtësisht mbi 500 euro.