Shkruan: Florim Zeqa
Në të kaluarën dita e zgjedhjeve dhe dita e formimit të institucioneve ishin festë për qytetarët e Kosovës dhe jo stres dhe pritje, jo ankth dhe shqetësim se çfarë do të bëhet me të ardhmen e vendit!
E treta e vërteta apo e treta e zezë për Kosovën?!
Pas dy dështimeve të njëpasnjëshme dhe të qëllimshme të seancës konstituive të institucioneve të reja të shtetit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, përpjekja e tretë duhet të jetë vendimtare për dhënjën fund të krizës artificiale.
Spektaklet mediatike në Kuvend janë kthyer në tragjikomedi për votuesit, përkatësisht për qytetarët e zhgënjyer dhe të thyer shpirtërisht nga kjo klasë e papërgjegjshme politike.
Në vazhdimin e tretë të Seancës Konstituive deputetët e zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve duhet të jenë në nivelin e detyrës dhe të vendosur në tejkalimin e kësaj krize artificiale të krijuar nga liderët e partive politike për interesat e tyre personale!
Në rast se tentohet të përseritet repriza e ditës së enjtë të 17 prillit, duhet të kundërshtohet me çdo kusht nga deputetët me qëndrim në Sallën e Parlamentit, qoftë edhe pa prezencën e kryesuesit kortezual, me caktimin e një kryesuesi të ri nga shumica e deputetëve për të proceduar tutje me votimin e mandateve të deputetëve pavarësisht (mos) dorëheqjes faktike të Qeverisë!
Ngase askush nuk e ka të drejtën e mbajtjes peng të Konstituimit të Kuvendit, përkatësisht të zgjedhjes së organit të ri ligjvënës në vend, si hapë të parë drejtë mandatarit të Qeverisë, pavarësisht kampit politik!
Qyetarët e vendit kanë votuar për zgjedhjen e një Qeverie të Re, e jo për vazhdimësi dhe as “Status Quo” politike në Kuvend!
Pra, dita e shtunë, e 19 prillit 2025 duhet të jetë dita “D” e formimit të institucioneve shtetërore.
Nëse ka vullnet politik nga partitë parlamentare zgjidhja është fare e thjeshtë! Pengesa teknike e votimimit të mandateve të deputetëve evitohet fare lehtë, për të kaluar në pikën e dytë sipas rendit dhe ligjit.
Fillimisht le ta provon partia fituese me kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, nëse nuk i ka numrat, pa asnjë pengesë duhet t’i lëshojë rrugë partisë së dytë që ta provojë sigurimin e shumicës në Kuvend.
Në të kundërtën, nëse edhe partia e dytë nuk e siguron shumicën parlamentare, atëherë me automatizëm duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sipas afateve kushtetuese, pa e humbur më asnjë ditë të vetme.
Askush nuk guxon të luaj me fatin popullit, edhe ashtu me shpresa të thyera për jetë në këtë vend, e aq më pak t’a vënë në pikëpyetje funksionalitetin dhe ekzistencën e shtetit të pakonsoliduar në aspektin ndërkombëtar.
Ata që nuk e kanë vullnetin dhe guximin për të marrë përgjegjësitë konformë rrethanave të krijuara politike, përkatësisht pushtetin në këto rrethana të vështira gjeo-strategjike, le të tërhiqen, por assesi nuk guxojnë të bëhen pengesë e formimit të institucioneve shtetërore!
Pavarësisht numrit të votave dhe pozicionit paszgjedhor, të gjitha partitë janë njëjtë përgjegjëse për mos(formimin) e shpejtë të institucioneve të reja shtetërore. Këtë e kanë obligim para qytetarëve dhe para më shumë se 900 mijë zgjedhësve kosovarë dhe atyre në mërgatë!
STOP dyftyrësisë politike në Kuvend!
STOP pazareve për intersa personale të liderëve partiakë!
STOP krizës institucionale!