Polici për të cilin u spekulua se ishte në arrati, është paraqitur në stacionin policor, familja e tij kishte deklaruar se ai ndodhej në shtëpi gjatë gjithë kohës, por askush nuk kishte ardhur për ta kërkuar
Ish-punonjësi i pensionuar i policisë, i cili ishte në kërkim nga MPB-ja pasi ishte një nga të dyshuarit për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Kërçovë, është paraqitur vetë në stacionin policor këtë mëngjes. Familja e tij mohoi që ai të ishte në arrati, duke pretenduar se askush nuk e kishte kërkuar deri më tani.
Nga Prokuroria konfirmojnë: “I dyshuari është paraqitur mëngjesin e sotëm dhe aktualisht ndodhet përballë gjykatësit të procedurës paraprake.”
Hetimet për zjarrin që shpërtheu dy ditë më parë në diskotekën “Puls” janë zgjeruar edhe për shtatë policë të tjerë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Njësia e specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe nga punonjësit e policisë së burgjeve, për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike” sipas nenit 292 paragrafi 2, në lidhje me veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” sipas nenit 288 paragrafët 2 dhe 3 të Kodit Penal.