Një muaj ankth për familjen Ademi nga Kumanova. Deri më tani ende nuk ka një epilog për zbardhjen e rastit të vdekjes së Vedat Ademit, i cili më 17 mars shkoi në Spitalin e Kumanovës për tu mjekuar dhe gjeti vdekjen. Instituti i mjekësisë ligjore ende nuk e ka nxjerr raportin e autopsisë.
“Nga Instituti i mjekësisë ligjore këtu në Shkup thanë se raporti i autopsisë për të ndjerin Vedat Ademi akoma nuk është gati. Ndonëse është një analizë mjaft komplekse, e cila bëhet nga tre laboratorë dhe rezultatet, të cilat pritet të jenë vendimtare për zbardhjen e rastit të humbjes së jetës së 32 vjeçarit në Spitalin e Kumanovës, rast për të cilin prokuroria ka ngritur dyshime për stafin mjekësor”.
Dosja hetimore e rastit të vdekjes së Vedatit, tregon se i ndjeri ka vuajtur nga gurët në tëmth, duke e bërë që të kthehet nga Gjermania në Kumanovë për tu mjekuar dhe eventualisht për t’ju nënshtruar një intervenimi kirurgjikal. Sipas raportit, mjeku i ka dhënë infuzion me analgin pa verifikuar që është alergjik edhe pse në librezën shëndetësore ka qenë e evidentuar.
Dr. Zoran Gjeorgjievski, PA pasur informacion të mëparshëm që pacienti është alergjik në Analgetikë, e dha udhëzim që në infuzionin e dytë të shtohet ampula ANALGIN si përforcim të terapisë kundër dhimbjeve, kjo është evidentuar në shkresën për pranim të terapisë; Para aplikimit të terapisë së udhëzuar, infermieret kujdestare NUK e kanë pyetur pacientin në mënyrë plotësuese për reagime eventuale alergjike ndaj barërave të caktuara dhe madje NUK është kontrolluar libreza e shëndetësisë”, thuhet në Raportin e Komisionit të posaçëm të MSH
Nga Prokuroria e Kumanovës thonë se vazhdimi i hetimit varet nga gjetjet në raportin e autopsisë, por që dyshime ka edhe për lëshime të tjera të stafit mjekësor dhe të institucionit shëndetësor. Prokurorja Teuta Ramadani tha se do të merren edhe masat përkatëse ndaj të dyshuarave për të ngritur akuzat.
“Kur kemi pasoja fatale shkojmë më veprën penale: Vepër e rënd kundër shëndetit të njerëzve, sipas Nenit 217 të Kodit Penal, ku parashikohet burgim deri në 10 vite. Mirëpo shkaku i vdekjes do të vërtetohet në bazë tu autopsisë që është kyçe për hetuesinë se a do shkojnë në përgjegjësi penale”, tha Teuta Bediu-Ramadani
Ndërkaq, raporti i Inspektoratit shtetëror sanitar shëndetësor tregon edhe lëshime të tjera. Intervenimi i ngathët në procesin e reanimimit në kushte spitalore nuk do të ishte me fatalitet na shoku anafilaktik nëse do të ishin të gjitha pajisjet e duhura dhe gatishmëria e stafit mjekësor për të intervenuar në kohë. Në raportin specialistik të kryer nga dr.Zoran Gjeorgjievski nuk është e shkruar anamneza e pacientit.