Arben Taravari me mesazh të fuqishëm për ndryshimin: “Fitorja më e madhe janë njerëzit”

Në një postim në Facebook, Arben Taravari, një nga figurat kryesore të koalicionit opozitar VLEN, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike duke dhënë një mesazh të qartë për nevojën e ndryshimit të vërtetë në politikë.

“Nga thirrjet më qesharake është apeli për ndryshim nga dikush që vet përdor metoda të një mentaliteti politik të vjetër,” shkruan Taravari, duke nënvizuar se ndryshimi duhet të nisë nga vetja. Sipas tij, për disa njerëz ndryshimi kërkon më shumë kohë, për disa më pak, por fatkeqësisht ka edhe nga ata që nuk mund të ndryshojnë kurrë, përcjell TS.

Ai shton se motivi i vetëm që mban gjallë Aleancën për Shqiptarët është Kushtrimi i Njerëzve. “Lum kush e dëgjon sepse e ka të lehtë rrugën drejt fitores,” shprehet ai, duke theksuar se fitorja më e madhe janë vetë njerëzit, dhe se “ajo sapo ka filluar”.

Ky mesazh vjen në një kohë kur brenda koalicionit opozitar VLEN po zhvillohen diskutime dhe dinamika të reja në lidhje me drejtimin dhe strategjinë për të ardhmen./TS/