Është hequr masa e paraburgimit për të gjithë zyrtarët policorë të dyshuar për tragjedinë në Koçan, kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në procedurën e sotme, me propozim të prokurorit, për të dyshuarit janë caktuar masa paraprake dhe ato janë: heqja e pasaportës dhe ndalimi i lëshimit të një të re, ndalim i largimit nga vendbanimi, paraqitja periodike para një oficeri të gjykatës, ndalim i komunikimit me të dyshuarit e tjerë dhe ndalim i ushtrimit të detyrave të punës që lidhen me veprën penale në fjalë. Gjyqtari e ka pranuar propozimin dhe ka caktuar këto masa për pesë persona, ndërsa për një të dyshuar (i pensionuar) është caktuar masa e ndalimit të komunikimit me të dyshuarit e tjerë, pasi tri masat e tjera për këtë person janë aktive në një rast nga viti 2019. Po ashtu, me propozim të prokurorit, pasi ka skaduar masa e paraburgimit për të dyshuarit që ishin pjesë e hetimit të mëparshëm, ajo është hequr dhe janë caktuar të njëjtat masa paraprake. Masa e ndalimit për ushtrimin e profesionit është caktuar në varësi të faktit nëse të dyshuarit janë ende në punë ose në pension.