Çka fshihet pas dështimit të konstituimit të Kuvendit?!

Shkruan: Florim Zeqa

Nga dita e djeshme e kemi një Kuvend të pakonstituar me 120 deputet të barabart pa ndarje pushtet-opozitë! I kemi dy grupacione politike që synojnë marrjen e pushtetit, porqë asnjëra nuk i kanë numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë pa deputetët e Listes Serbe!

‘Qeveria në dorëheqje’, vakum i ri institucional

Në këto rrethana të vakumit institucional, pa Qeveri dhe pa Kuvend të konstituar, i vetmi institucion legjitim në vendin tonë mbetet Presidenca fragjile pa kredibilitet të parlamentit të ri.

Në këtë situatë ekzistojnë dy mekanizma që mund të ofrojnë zgjidhje të shpejtë: Gjykata Kushtetuese që determinon afatet ligjore për konstituimin e Parlamentit dhe bashkësia ndërkombëtare e cila e bën presionin imediat tek partitë parlamentare për krijimin e institucioneve të reja, siq kishte ndodhur edhe në të kaluarën pas ndërhyrjes së Ambasades Amerikane në Prishtinë!

Mirëpo kësaj radhe, me administratën e presidentit Trump presioni mund të jetë akoma më i prerë dhe i drejtëpërdrejt për deputetet e Kuvendit, përkatësisht për liderët e partive parlamentare.

Pse fshehet emri i kandidatit për kryeparlamentar?!

Me mosbërjen publike të emrit të kandidatit për kryetar të Parlamentit nga ana e partisë fituese, tentohet të fshihen dy gjëra: e para) mungesa e numrave në Kuvend, dhe e dyta) përfitimi në kohë për mosformimin e institucioneve, pas të cilave Qeveria e Kosovës do të përballet drejtëpërdrejt me administratën e re të BE-së në Bruksel dhe më kërkesat ultimative të administrates së presidentit Trump në Washington!

Në anën tjetër, konsensusi i partive tjera rivale në Kuvend qëndron vetëm në një pikë të vetme, në pengimin me çdo kusht të mandatit të tretë qeverisës të Albin Kurtit, përderisa partia e dytë dhe tretë nuk kanë pajtueshmëri për të parin e qeverisë në rast të dështimit të partisë së parë, kurse partia e katërt shqiptare në Kuvend i mbështetë ato pa kushtëzime. Mbase ky është i vetmi aspekt pozitiv në situatën aktuale.

Pas votimit të parë për verifikimin e mandateve në Kuvend, raporti i forcave në Kuvend është ky: 52 vota për partinë fituese, 57 vota për partitë e tjera jo serbe! Që i bie, se asnjëri kamp politik nuk i ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë!

Përballja e këtyre numrave në Kuvend e çon vendin drejt një ngërçi të gjatë politik i cili kërkon ndërhyrje imediate ndërkombëtare ose veprim të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 60 ditëve nga dita e djeshme.

Dështimi i konstituimit të Kuvendit për shkaqe procedurale zanafillen e ka tek inatet personale mes liderëve partiak dhe jo vetëm nga fushata elektorale, të cilët janë të gatshëm ta sakrifikojnë të ardhmen e shtetit për egot e tyre personale.