Johnny Depp transformohet për rolin e ri

Aktori i njohur amerikan, Johnny Depp, ka nisur xhirimet për filmin e tij më të ri, “Day Drinker”, ku luan përkrah aktoreve Penélope Cruz dhe Madelyn Cline. Xhirimet po zhvillohen në Spanjë dhe janë konfirmuar nga kompania filmike “Lionsgate”.

Në foton e parë të publikuar, aktori 61-vjeçar shfaqet krejt ndryshe: me një gotë në dorë dhe një shikim të ftohtë, duke i dhënë jetë një personazhi misterioz që ndodhet në një jaht luksoz, ka shkruar revista “People”.

Johnny Depp në rolin e ri

Roli i Deppit është ai i një mysafiri të çuditshëm që përballet me një banakiere, rolin e së cilës e luan aktorja Madelyn Cline (27 vjeçe). Dy personazhet përfshihen në një histori të rrezikshme me një figurë kriminale, rolin e së cilës e luan aktorja Cruz.

“Ata shumë shpejt gjenden të përfshirë në një rrjet të errët dhe të lidhur në mënyra që askush nuk i kishte parashikuar”, thuhet në përshkrimin zyrtar të filmit.

Në kastën e filmit përfshihen edhe aktorët Manu Ríos, Arón Piper, Juan Diego Botto dhe Anika Boyle.
Regjisori Marc Webb, i njohur për filmat “500 Days of Summer” dhe “Snow White” e Disneyt, ka thënë për mediat se ndihet i lumtur pasi po bashkëpunon me aktorë të njohur.

“Jam shumë i lumtur që po nis xhirimet me Johnny, Madelyn, Penélope dhe një kast të jashtëzakonshëm. Kemi një ekip të mrekullueshëm, vendndodhje të bukura dhe një histori të fuqishme për të treguar. Kjo do të jetë argëtuese”, ka thënë Webb.

Ky film është roli i parë i Deppit në një projekt të madh hollywoodian që nga viti 2018, kur ai luajti në “Fantastic Beasts: The Crimes of Grindelwald”. Pas përfundimit të gjyqit të shumëpërfolur me ish-bashkëshorten, aktoren, Amber Heard (e cila aktualisht jeton në Madrid), Depp u rikthye në ekran me filmin francez “Jeanne du Barry”, që hapi Festivalin e Filmit në Cannes në vitin 2023.

“Njerëzit flasin për ‘rikthim’, por unë nuk kam shkuar askund. Kam qenë këtu. Ndoshta njerëzit thjesht ndaluan të më ftojnë për role për shkak të ndonjë frike”, pati thënë aktori në konferencë për shtyp në Cannes.

“Day Drinker” do të shënojë edhe një bashkëpunim tjetër mes Deppit dhe Cruzit, pas filmave “Blow” (2001), “Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides” (2011) dhe “Murder on the Orient Express” (2017).