Në afër gjashtë muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale institucionet dhe partitë politike fillojnë të përgatiten për ndryshime të Kodit Zgjedhor. Nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga partitë politike konfirmojnë se këto ditë ka nisma për ndryshim të Kodit Zgjedhor, pa theksuar se çka do të përmbanin ndryshimet.
Nga Ministria e Drejtësisë për MIA-n thonë se lidhur me Kodin Zgjedhor, ndërmerren aktivitete për përgatitje të tij, por se gjatë kësaj megjithatë duhet të kenë parasysh se legjislacioni zgjedhor kërkon konsensus të gjerë, dhe këtu do të nevojitet qasje konstruktive dhe mbështetje nga faktorët politik kyç në vend.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla MIcevski në një deklaratë për MIA-n thotë se po formohet grup pune për Kodin Zgjedhor, pa theksuar hollësi se çka do të përmbanin ndryshime të tilla, si dhe ajo nëse është paraparë kornizë kohore për miratimin e tyre.
Në këtë moment ka disa bisedime inicuese për Kodin Zgjedhor, thotë për MIA-n zëdhënësi dhe deputeti i partisë E majta Amar Mecinoviq. Pa dallim se bëhet fjalë për zgjedhje lokale, sipas tij, për partinë E majta është me rëndësi që të artikulohet nevoja për vendosjen e një njësie zgjedhore.
Çka do të duhej ose mundej të ndryshohej në Kodin Zgjedhor?
Ndryshime të fundit në Kodin Zgjedhor kishte para zgjedhjeve parlamentare në vitin 2024, por nuk u pranua versioni i grupit të punës nga Ministria e Drejtësisë, e kryesuar nga Aleksandar Nikollovski, avokat dhe ish kryetari i Komisionit Shtetësor të Zgjedhjeve.
Partitë politike, por edhe kandidatët e pavarur, kanë nisur përgatitjet intensive për zgjedhjet lokale. Për momentin mund të bëhet vetëm një përmbledhje e përafërt e kandidaturave të mundshme për 80 komunat dhe Qytetin e Shkupit, dhe atë vetëm për kryetarë komunash, ndërsa është ende herët për pozitat e këshilltarëve. Analizat brenda partive janë duke vazhduar, dhe beteja kryesore do të bëhet për qytetin e Shkupit dhe komunat më të mëdha. Padyshim se numri i kandidaturave të pavarura mund të varet edhe nga zvogëlimi i pragut për kandidim, i cili me ndryshimet e fundit në Kushtetutë u rrit nga një mijë në pesë mijë.
Pikërisht për këtë pas nismës së organizatave civile, gjykatësit kushtetues në fund të shkurtit me shumicë të votave vendosën ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e neneve 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të cilët të mbështetur nga partitë më të mëdha vitin e kaluar ishin miratuar në procedurë të shkurtër dhe pa debat publik. Edhe krahas vendimit të tillë, Gjykata Kushtetuese ende në seancë nuk e ka vendosur vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 17 dhe 18 nga KZ.
Gjykata Kushtetuese, siç ishte theksuar, shprehu dyshim në kushtetutshmërinë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor si nga ana e tij formale, ashtu edhe ana materiale.
“Theksohet se nga këndvështrimi i dy vlerave themelore, sundimit të ligjit dhe pluralizmit politik, shkelje e parimit të barazisë së qytetarëve, si dhe nga këndvështrimi i neneve 22 dhe 23 që rregullojnë barazinë e të drejtës së votës dhe qasjes së qytetarëve, secili ka të drejtë të ushtrojë funksione publike, deklaroi në konferencë për media, atëherë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Nga ajo që dihet deri më tani, nëse ka biseda për ndryshime të Kodit Zgjedhor, është se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të kërkojë që pagesa e reklamimit të paguar politik të mos shkojë përmes tyre sepse ajo nuk është kompetencë e Komisionit.
Vëzhgimet e OSBE/ODIHR-it mbeten për t’u përfshirë në ndryshimet në Kodin Zgjedhor përpara zgjedhjeve vendore. Në një konferencë për media pas zgjedhjeve të fundit majin e kaluar, kryetarja e atëhershme e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Xhilian Stirk, tha se megjithëse ndryshimet në (Kodin Zgjedhor) përfshinin disa nga rekomandimet e mëparshme të ODIHR dhe propozimet teknike nga KSHZ-ja, ato në masë të madhe nuk morën parasysh rekomandimet e grupit punues përgjegjës për reformat zgjedhore.
Para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2024, shumë politikanë dhe ekspertë vlerësuan se ndoshta është koha që vendi të ketë komplet Kod të ri Zgjedhor, për çka duhet të arrihet konsensus nga të gjitha partitë politike.
Sipas Kodit të tanishëm Zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Nëse kjo mbetet në bazë të Kodit të tanishëm Zgjedhor, ato duhet të mbahen të dielën më 19 ose 26 tetor.
Organizata Territoriale e Republikës dhe rajonet e komunave konfirmohen me ligj. Vetëqeverisja lokale në vend është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Në përbërje të Qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të ndara me Qytetin.