Avokati i Palevskit heq dorë nga mbrojtja

Avokati Marijan Vitanovski ka hequr dorë nga përfaqësimi i Ljupço Palevski Palço, i akuzuar për vrasjen e Vanja dhe Pançe.

Gjyqtari Ivica Stefanovski, para fillimit të seancës së sotme, lexoi vendimin e avokatit nga Kumanova. Palevski do të vazhdojë të mbrohet nga avokati Jovica Strashevski.

Seanca e sotme për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Velibor Manev.

Sipas planifikimit, pas dëshmisë së Manevit, pritet të dëshmojnë Bore Videvski, Vlatko Keshishev, Aleksandar Gjorçevski dhe në fund Palevski.

Sipas aktakuzës, Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorçevski akuzohen se kanë planifikuar së bashku rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja, me qëllim që të detyronin një anëtar të familjes së saj të ngushtë të paguante shpërblim. Ndërsa rrëmbimi i Pançe Zhezovskit në Veles, sipas aktakuzës, kishte për qëllim ta detyronte atë të dorëzonte makinën e tij “Citroën”, e cila do të përdorej për rrëmbimin e vajzës në Shkup.

Vanja e mitur dhe Pançe nga Velesi u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur pranë Shkupit dhe Velesit