Mickoski: Marrëdhëniet RMV-SHBA janë në nivel të lartë, të mos nxitojmë me konkluzione për mosmarrjen e vizës së ministrit Fatmir Limani

Marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë dhe administratës së presidentit amerikan Donald Trump, si dhe me administratën e ambasadës amerikane këtu janë në nivel ultra të lartë, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski, duke komentuar rastin e refuzimit të vizës amerikane të ministrit të politikës sociale, demografisë dhe rinisë, Fatmir Limani, porositi që të mos nxitohet me konkluzionet.

“Nuk do të nxitoja me konkluzione në lidhje me vizën, të presim, po nëse e merr shpejt atëherë çfarë të bëjmë, çfarë do të ndodhë?! Pra, të mos nxitojmë, e dimë saktësisht se çfarë po bëjmë dhe nuk do të bëjmë asnjë milimetër në kundërshtim me interesat e shtetit dhe të qytetarëve”, deklaroi Mickoski.

Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler dje në lidhje me kërkesën e refuzuar për vizë të ministrit Limani, ka urdhëruar që të kërkohet përgjigje nga vetë aplikanti, duke potencuar se SHBA-ja ka ligje të rrepta për privatësinë dhe se ajo nuk mund të komentojë çështjet që lidhen me marrjen e vizës amerikane për asnjë aplikant.

“Ne kemi ligje shumë të rrepta për privatësinë në SHBA dhe për këtë arsye nuk mund të komentoj për asnjë çështje vize për asnjë individ. Do t’ju drejtoja te ministri për t’ju treguar se çfarë ka ndodhur, por, gjithashtu do të them se çdo aplikant për vizë amerikane, procesi i marrjes së vizës amerikane i sqarohet individit dhe nëse ka diçka shtesë, edhe ajo gjithashtu i sqarohet”, tha Ageler.