Burgim i përjetshëm për Elvin Kurtoviq për vrasjen e biznesmenit Vasil Eftimov te QT”Mavrovasja”

Gjykatësja Monika Bahçovanovska e dënoi Elvin Kurtoviqin me burgim të përjetshëm për vrasjen te Mavrovka.

Ngjarja ndodhi më 20 gusht të vitit të kaluar, në një nga periudhat dhe vendet më të frekuentuara në Shkup. I akuzuari Elvin Kurtoviq pranoi fajësinë për vrasjen e biznesmenit Vasil Eftimov, duke deklaruar se ishte nën ndikimin e drogës dhe nuk kishte dashur ta kryente atë. Në momentin e vrasjes, Kurtoviq ishte liruar me leje fundjave nga burgu i Idrizovës.

“Nuk jam mirë as emocionalisht, as psikologjikisht. Shpreh pendesë për veprën penale. Nuk kisha qëllim ta vrisja, ndodhi një aksident. Kisha qenë nën ndikimin e drogës për disa ditë. Më vjen shumë keq, kjo është gjithçka që kam për të thënë,” deklaroi Kurtoviq javën e kaluar.

Avokatja e tij, Sofija Laliçiç, kërkoi dënimin më të butë të mundshëm, duke argumentuar se klienti i saj ishte nën ndikimin e drogës dhe nuk mund të arsyetonte qartë. “Po, klienti im vrau një njeri. Por le të shohim realitetin në sy: në këtë shtet ndodhin shumë vepra penale, sepse institucionet përkatëse nuk e kryejnë detyrën e tyre,” deklaroi Laliçiç.

Ndryshe, për vepra të tilla dënimi minimal është 10 vjet burg, ndërsa maksimalja është burgim i përjetshëm.

Vasil Eftimov ishte biznesmen dhe drejtor i kompanisë Mitelmont, e cila merrej me shitjen e pajisjeve hidrosanitare. Ai u vra me armë zjarri, ndërsa në shoqërinë e tij ndodhej edhe bashkëshortja e tij.