Komisioni Evropian ka njoftuar se ka nisur një sërë kundërmasash ndaj tarifave shtesë të SHBA-së për importet e çelikut dhe aluminit nga Bashkimi Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Komisioni kujtoi “masat e ribalancimit” të pezulluara kundër masave tarifore të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për vitin 2018 gjatë mandatit të tij të parë dhe theksoi se do të rivendosë këto masa të pezulluara.
Komisioni gjithashtu do të krijojë një paketë të re masash shtesë kundër SHBA-së për “të përfshirë shumë produkte duke filluar nga varkat te burboni e te motoçikletat”.
“Pasi tarifat e reja të SHBA-së janë dukshëm më të gjera në shtrirje dhe ndikojnë në një vlerë dukshëm më të lartë të tregtisë evropiane, Komisioni më 12 mars nisi procesin për të vendosur kundërmasa shtesë ndaj SHBA-së”, tha Komisioni Evropian.
Këto tarifa, sipas njoftimit, do të synojnë mallra në vlerë rreth 18 miliardë euro, të cilat “më pas do të zbatohen së bashku me masat e rivendosura nga viti 2018”.
“Synimi është të sigurohet që vlera totale e masave të BE-së të korrespondojë me vlerën e rritur të tregtisë të ndikuar nga tarifat e reja të SHBA-së”, thuhet në njoftim.
Trump në vitin 2018 paraqiti tarifa për eksportet evropiane të çelikut dhe aluminit, të njohura si “seksioni 232”, duke synuar 6.4 miliardë euro të mallrave të BE-së, ndërsa në muajin janar 2020 hynë në fuqi tarifat shtesë për disa produkte të çelikut dhe aluminit.
Këtë vit, SHBA-ja vendosi për rivendosjen e sanksioneve nga viti 2018, rritjen e tarifave nga 10 për qind në 25 për qind dhe zgjerimin e tarifave për produkte të tjera që përmbajnë çelik dhe alumin.
Komisioni Evropian tha se tarifat e reja do të prekin gjithsej 26 miliardë euro të eksporteve të bllokut evropian, rreth 5 për qind të eksporteve të përgjithshme të BE-së në SHBA dhe se kjo do të rezultojë që importuesit amerikanë do të duhet të paguajnë deri në 6 miliardë euro tarifa shtesë të importit.
Palët e interesuara do të debatojnë kundërmasat e reja deri më 26 mars, më pas komisioni do të konkludojë procesin e miratimit për të vendosur kundërmasat që nga mesi i muajit prill.