Mediat suedeze raportojnë se në një aksident ajror në Velika Planina, Slloveni, ka humbur jetën biznesmeni dhe ish-politikani suedez, Karl Ulf Sture Lundström. Ai ishte i njohur edhe si themeluesi i faqes së njohur “The Pirate Bay”, transmeton N1.
Kompania e tij, Rix Telecom, gjatë periudhës 2003-2005, siguroi pajisje, serverë dhe mbështetje për këtë faqe interneti, e cila 20 vjet më parë ishte burimi më i madh për shkarkime falas të filmave, muzikës dhe më vonë edhe të video-lojërave.
Në vitin 2009, Karl Ulf Sture Lundström, së bashku me tre bashkëpunëtorë të tjerë, u dënua me burg nga katër deri në dhjetë muaj dhe u gjobit me një shumë totale prej 46 milionë korona suedeze (5.4 milionë euro) për dëmet e shkaktuara ndaj industrisë së muzikës dhe filmit.
Botuesit e përshëndetën vendimin e vitit 2009 si një fitore simbolike kundër piraterisë. Ky 64-vjeçar ishte pjesë e një prej familjeve më të pasura suedeze, e cila themeloi kompaninë Wasabröd, të njohur për prodhimin e bukës krokante. Në vitin 1982, kompania u ble nga gjiganti farmaceutik zviceran Sandoz.
Anëtar i partisë së ekstremit të djathtë “Alternativa për Suedinë”
Karl Ulf Sture Lundström ishte anëtar i një organizate raciste që më vonë u transformua në partinë Demokratët Suedezë. Ai ka mohuar publikisht Holokaustin disa herë.
Në vitin 2018, Lundström iu bashkua partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Suedinë, ndërsa në vitin 2021 kandidoi si përfaqësues i saj. Partia ka konfirmuar tashmë në Facebook se anëtari i saj ka ndërruar jetë.