Deputeti rus: Të gjitha marrëveshjet do të jenë sipas kushteve tona, jo sipas atyre amerikane

Një përfaqësues i parlamentit rus, duke komentuar armëpushimin e propozuar, i cili është rënë dakord midis përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas, deklaroi sot se çdo marrëveshje do të jetë sipas kushteve të Moskës, dhe jo të Uashingtonit, raporton Reuters.

“Rusia po përparon (në Ukrainë) dhe për këtë arsye gjërat do të jenë ndryshe me Rusinë,” tha Konstantin Kosaçev, kryetar i komitetit për çështjet ndërkombëtare në Këshillin e Federatës, Dhomën e Sipërme të parlamentit rus, në një postim në Telegram.

“Të gjitha marrëveshjet – me një kuptim të plotë për nevojën e kompromisit – do të jenë sipas kushteve tona, dhe jo sipas kushteve amerikane. Dhe kjo nuk është mburrje, por kuptimi se marrëveshjet e vërteta ende shkruhen atje, në fushën e betejës. Këtë duhet ta kuptojnë edhe në Uashington.”

Dje, delegacionet amerikane dhe ukrainase nisën bisedimet e paqes në Xheda, Arabinë Saudite.

Kievin në negociata e përfaqësuan ministri i Jashtëm Andrij Sibikha dhe ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, ndërsa delegacionin amerikan e udhëhoqi sekretari i Shtetit, Marko Rubio. Takimi zgjati tetë orë dhe synonte të rikthente besimin dhe të forconte partneritetin strategjik midis Kievit dhe Uashingtonit pas tensioneve të fundit.

Ukraina më në fund konfirmoi gatishmërinë e saj për të pranuar propozimin amerikan për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm prej 30 ditësh, i cili mund të zgjatet me pëlqimin e të gjitha palëve, me kusht që Rusia të pranojë dhe ta zbatojë atë njëkohësisht.