LSDM: Antikorrupsioni t’i hetojë tenderët në ministrinë e Andonovskit

LSDM ka kërkuar nga komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit që të marrë masa në lidhje me, siç thonë ata skandalin me tenderët në Ministrinë e Transformimit Digjital. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska tha se LSDM i ka publikuar të gjitha provat dhe dokumentet lidhur me rastin në fjalë dhe kërkuan dorëheqje nga ministry Stefan Andonovski.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

“Kërkojmë veprim urgjent nga antikorrupsioni për këtë rast, i cili duhet të zbardhet plotësisht. Ministri Stefan Andonovski në një konferencë për media e pranoi skandalin me tenderët në ministrinë e tij, por në vend që të merrte përgjegjësi, të kërkonte falje dhe të jepte dorëheqje, ai mbrojti me paturpësi kontratat e tenderëve që përfunduan tek bashkëshorti i Sekretares Shtetërore të Ministrisë, Klinçarova. Ky është një rast i qartë i konfliktit të interesit, nepotizmit dhe dyshimit të bazuar për korrupsion, që në fakt janë karakteristika të VMRO DPMNE-së”.

Nga LSDM kanë akuzuar se kompania e udhëhequr nga bashkëshorti i sekretares shtetërore të Ministrisë së Transformimit Digjital, Gordana Klinçarova, ka marrë tenderë në vlerë prej 50 mijë eurosh nga i njëjti institucion. Ata thonë se ata kanë shpallur dy marrëveshje të lidhura, dhe sipas LSDM-së, kompania ka marrë pjesë edhe në ndërtimin e Shkupit 2014. Ndërkaq sipas ministrit Andonovski, sekretarja shtetërore e kësaj ministrie, Gordana Klinçarova, nuk merr pjesë në asnjë procedurë të prokurimit publik. Ai thotë se angazhimi i saj është në punën administrativo-buxhetore të Ministrisë dhe nuk ka konflikt interesi apo ndikim në procedurë nga ana e saj.