Takimi Bexheti-Skřivánek: Zgjerimi i bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Çekisë

Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, realizoi një vizitë zyrtare në Republikën Çeke, ku mori pjesë në Sesionin e Tretë të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik midis dy vendeve. Gjatë këtij takimi, u diskutuan tema kyçe për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e investimeve dhe përmirësimin e shkëmbimit tregtar.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të sektorëve strategjikë dhe krijimit të mundësive për rritje ekonomike të qëndrueshme. Në kuadër të vizitës, zëvendësministri Bexheti zhvilloi një takim me Zëvendësministrin e Bujqësisë të Republikës Çeke, Miroslav Skřivánek, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e praktikave inovative dhe të qëndrueshme në këtë fushë.

Gjatë vizitës në Çeki, Bexheti dhe Skřivánek vizituan edhe Fermën Familjare Hole, e njohur për suksesin e saj në agrobiznes. Ata patën mundësinë të njihen nga afër me proceset e prodhimit dhe menaxhimit të fermës, duke vlerësuar integrimin e inovacionit me traditën në prodhimin e produkteve cilësore.

Kjo vizitë synon të forcojë lidhjet mes dy vendeve dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi në sektorin e bujqësisë dhe ekonomisë.