Ranieri dënohet nga UEFA me 20 mijë euro, shkaku i kritikave ndaj referimit

Trajneri i Romës, Claudio Ranieri është dënuar me 20 mijë euro, shkaku i komenteve të tij rreth gjyqtarit, Tobias Stieler dhe shefit të gjyqtarëve, Roberto Rosetti pas ndeshjes ndaj Portos në play-offit e Ligës së Europës.

“Giallorossët” barazuan 1-1 në “Estadio Do Dragao” në mes të muajit shkurt me Porton, para se të sigurojë kualifikimin në 1/8 e finales, por trajneri i romakëve nuk mundi t’i fshehë kritikat e tij për referimin gjatë asaj ndeshje.

Zemërimin e Ranierit e shkaktoi gjyqtari Stieler, i cili i dha dy kartonë të verdhë në mënyrë kontraverse për Bryan Cristanten, duke bërë që Roma të luajë me një lojtar më pak.

Kritikat e 73-vjeçarit shkuan deri te shefi i gjyqtarëve të UEFA-s, Roberto Rossetti, duke e kontestuar vendimin e tij për ta vendosur Stielerin në ndarjen e drejtësisë për atë ndeshje.

Ranieri kishte thënë se në 22 ndeshjet që Stieler i kishte referuar më parë, mysafirët kishin barazuar vetëm 9 herë, me ndeshjet tjera që kishin shkuar në të mirë të vendasve.

Përveç dënimit prej 20 mijë euro për Ranierin, UEFA e ka dënuar me 11 mijë euro shtesë edhe Romën për sjellje jo të duhura ekipore.