Bayern Muncheni po mendon ripërtrimin e skuadrës, për të vazhduar edhe më tej dominimin e futbollit gjerman dhe jo vetëm.
Klubi bavarez po synon që të zëvendësojë yjet e “vjetëruara” të skuadrës me lojtarë të rinj.
Përveç Joshua Kimmichit, e ardhmja e të cilit ende është në ajër dhe nuk dihet nëse do të vazhdojë edhe pas kësaj vere me klubin, edhe një tjetër yll po e mendon largimin nga skuadra e drejtuar prej Vincent Kompany.
Drejtorët e Bayernit ishin të mërzitur e zemëruar nga pavendosshmëria e Kimmichit, i cili mori shumë kohë për të vënë nënshkrimin në ofertën e tyre për rinovimin e kontratës.
Andaj, ata përkohësisht e kanë tërhequr ofertën nga tavolina.
Por, Kimmich nuk është i vetmi që mund t’i thotë lamtumirë Bayernit.
Njëjtë mund të veprojë edhe Kinglsey Coman, i cili duket se po shijon muajt e fundit në Mynih.
Drejtuesit e klubit janë të gatshëm ta lënë të largohet, ndonëse ka kontratë deri në vitin 2027.
Por, sezoni aktual nuk qe më i miri nga Coman, i cili deri më tani ka vetëm pesë gola dhe katër asistime në të gjitha garat.
Coman është pjesë e Bayernit për pothuajse 10 vite, duke fituar çdo vit titullin e kampionit, përveç sezonin e kaluar, me titullin që shkoi në duart e Bayer Leverkusenit.