Legjenda e Hollywood-it, Gene Hackman dhe bashkëshortja e tij u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre

Fituesi i çmimit Oscar, Gene Hackman, bashkëshortja e tij dhe një nga qentë e tyre u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe, pas një periudhe të gjatë pa u vënë re, sipas autoriteteve.

Hackman, 95 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Betsy Arakawa, 64 vjeç, u zbuluan në dhoma të ndryshme të shtëpisë së tyre, e cila vlerësohet rreth 3.3 milionë dollarë. Hetuesit dyshojnë se ata mund të kenë ndërruar jetë prej rreth dy javësh.

Trupi i Hackman u gjet në një dhomë hyrëse, ndërsa Arakawa u gjet në banjë pranë një ngrohëseje. Pranë saj u gjetën gjithashtu një shishe ilaçesh e hapur dhe disa pilula të shpërndara mbi banak.
Zëdhënësja e Zyrës së Sherifit të Qarkut Santa Fe, Denise Avila, deklaroi se nuk ka shenja që çifti të jetë vrarë apo të ketë pasur ndonjë plagë.

Kompania e gazit në New Mexico kontrolloi tubacionet e gazit brenda dhe rreth shtëpisë, por nuk gjeti ndonjë problem, ndërsa Departamenti i Zjarrfikësve nuk konstatoi rrjedhje të monoksidit të karbonit. Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e helmimit nga gazi, pasi në disa raste ai nuk lë shenja të dukshme.
Gene Hackman konsiderohej si një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, duke u vlerësuar për aftësinë e tij për të luajtur role nga më të ndryshmet.

Ai ishte pesë herë i nominuar për çmimin Oscar, të cilin e fitoi dy herë: në vitin 1972 për rolin e tij në “The French Connection” dhe në vitin 1992 për “Unforgiven”. Vdekja e tij ndodhi vetëm katër ditë para ceremonisë së këtij viti.