Bashkim Hasani i kundërpërgjigjet Kreshnik Bekteshit: Shqiptarët e din kush ishte ministër i taksave të korrupsionit

Zyrtari i lartë i Lëvizjes Demokratike, Bashkim Hasani, ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit të Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi, duke e akuzuar për praktika korruptive dhe shpërdorim të detyrës gjatë mandatit të tij.

Hasani theksoi se Bekteshi e kishte kthyer licencimin në “biznes privat”, duke vendosur tarifa për leje, licenca dhe koncesione, të cilat, sipas tij, ndaheshin vetëm për klientelën e ngushtë të ish-ministrit.

“A e harruat si u ndanë licencat për gurëthyes, hidrocentrale e fotovoltaikë? A e harruat sesi në kohën e Bekteshit energjetika u bë monopol për një grusht oligarkësh, ndërsa bizneset e tjera mbeteshin peng i pazareve të tij?” deklaroi Hasani, duke e akuzuar Bekteshin për favorizime dhe kapje të sektorit energjetik.

Sipas tij, Bekteshi po përpiqet të ironizojë qeverinë e re, por nuk mund të japë leksione për moral politik pas praktikave që ka ndjekur gjatë mandatit të tij. “Një ministër që e trajtoi ekonominë si pronë personale dhe u shërbeu vetëm të afërmve e klaneve të tij, nuk mund të flasë për ndershmëri,” shtoi Hasani.

Ai përfundoi duke thënë se qytetarët nuk e kanë harruar rolin e Bekteshit dhe se tani është koha për të pastruar, siç u shpreh ai, “llumin e tij”.