Prokuroria e Posaçme SPAK ka publikuar detaje lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si edhe vendosjen e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa nën masën e arrestit të shtëpisë, ku kjo e fundit kishte krijuar një skemë të mirëmenduar – me paratë e taksapaguesve, bënte blerje veshjesh e bizhuterishë në vlerën e 860 mijë eurove.
Kështu theksohet në njoftimin zyrtar të SPAK, ku flitet gjerësisht për rolin e Xoxës në këtë dosje voluminoze. Fillimisht, theksohet se ajo është lënë nën masën e arrestit të shtëpisë për shkak se kishte krijuar një skemë të dyshimtë transaksionesh.
Akuza që rëndon ndaj saj është “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal.
Shprehimisht, sipas dosjes së SPAK, shkruhet se: Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja A. X., si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Çfarë ka bërë Xoxa me to ndërkaq edhe më flagrante, pasi SPAK raporton se në një periudhë prej katër vitesh, ajo ka bërë blerje online, të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj., në masën 86 milionë e 721 mijë e 175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Vlera e konvertuar në euro kap shifrën prej mbi 860 mijë eurosh.
Po kështu, kjo shtetase, sipas SPAK, në asnjë rast nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të shumta, por edhe njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse (shpk).
Fshehja e këtyre fakteve nga shtetasja nën hetim A. X., ka pamundësuar organet ligjzbatuese për të pasur një panoramë të plotë dhe të qartë sa i takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat nga ana e tyre zotërojnë shpk., por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar “konstatimin” dhe “gjurmimin” e një sasie të konsiderueshme të hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga shtetasja nën hetim.
Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shpk-ve.