Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare të dielën e 9 shkurtit, ku partia me më shumë vota doli Vetëvendosje. Por sërish kjo parti nuk mund të formojë qeverinë e vetme, pasi nuk i ka numrat në Kuvend. Pritet që Kosova tashmë të përballet me disa skenarë të mundshëm për të formuar qeverinë.
Qytetarët e Kosovës të dielën e 9 shkurtit votuan për Kuvendin e ri nga i cili do të dalë edhe qeveria e re e vendit për 4 vitet e ardhshme.
Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fituese është Vetëvendosje, e cila ndiqet nga PDK dhe LDK, ndërsa e katërta u rendit koalicioni AAK-Nisma.
Por, kjo fitore e partisë së Albin Kurtit, i cili synon edhe një mandat në krye të ekzekutivit, këtë herë nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta formuar qeverinë e re.
VV i duhet patjetër një koalicion me ndonjërën nga partitë opozitare, por të cilat në përgjithësi kanë deklaruar se nuk e duan bashkëpunimin me VV.
LDK përmes kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, mbrëmjen e të dielës e bëri të ditur se do të qëndrojë në opozitë, duke mos dhënë shenja se ka interes t’i bashkohet Kurtit në qeveri.
Në të njëjtën mënyrë veproi edhe lideri i AAK, Ramush Haradinaj, duke thënë se nuk bashkëpunon në asnjë mënyrë me Kurtin dhe preferon qeveri të opozitës.
Ndërsa, PDK nuk ka dhënë qëndrim për këtë çështje, edhe pse gjatë fushatës kanë pasur qëndrim të njëjtë me Haradinajn.
Duke e pasur parasysh këtë situatë, skenarët e vetme që mund të funksionojnë për të pasur shpejt një qeveri të re janë 2.
I pari është bashkimi i forcave ndërmjet VV, pakicave jo serbe dhe njërës nga partitë opozitare, nëse këto të fundit binden.
Në këtë rast, edhe zgjedhja e presidentit pas një viti mund të bëhet pa shumë probleme, çka nuk do ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Opsioni i dytë është bashkimi i partive opozitare me pakicat jo serbe.
Megjithatë, për shkak të numrave të brishtë, në këtë rast zgjedhja e presidentit të vendit pasi të përfundojë mandati i Vjosa Osmanit, nuk është e sigurt për shkak të fuqisë opozitare që do ta kishte VV si opozitë.
Në këtë rast, vendi do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme vitin e ardhshëm.
Në këto kombinime, duket se nuk mund të llogaritet përfshirja e Listës Serbe, pasi as VV e as partitë opozitare nuk duket se kanë interes që ta kenë në koalicion pas zhvillimeve të fundit në veri.