Legjenda e Real Madridit, Ramos i rikthehet futbollit – befason me klubin e ri

Legjenda e Real Madrid, Sergio Ramos, duket se do të nisë një aventurë të re, pas gjashtë muajsh pa ekip pasi skadoi kontrata e tij me Sevilla.

Karriera e mbrojtësit spanjoll, tashmë në moshën 38-vjeçare, do të vijojë me shumë gjasë në Meksikë.

Së fundmi, u raportua se Boca Juniors e kontaktoi për një transferim, por bisedimet nuk patën sukses. Ramos sakaq mendohet të ketë arritur një marrëveshje me Rayados de Monterrey në Meksikë.

Sipas “El Chiringuito”, transferimi është në fazën përfundimtare, ku po zgjidhen detajet e fundit të marrëveshjes. Ramos do të mbajë numrin 93 në fanellë, një homazh për Real Madridin dhe golin e tij në minutën e 93-të në finalen e Ligës së Kampionëve 2014 kundër Atlético, i cili çoi në fitoren e “Los Blancos” në kohën shtesë për trofeun e 10-të në histori të klubit.

Një natë më parë, trajneri i klubit meksikan, ish-mbrojtësi argjentinas, Martin Demichelis tha për Mundo Deportivo se ishte i entuziazmuar për mundësinë e transferimit të një lojtari si Ramos.

“Duhet të përforcohemi në mbrojtje me një lojtar të madh që të na ndihmojë, sepse ndonjëherë kundërshtarët na shënojnë me detaje minimale. A mund ta imagjinoni çfarë do të ishte Sergio Ramos për Ligën e Meksikës? Shpresoj që kjo të realizohet”, tha Demichelis.