Stuhia Herminia ‘mbërthen’ Francën/ Përmbytje masive në vend, tre rajone nën alarmin e kuq

Franca është përfshirë nga stuhia Herminia e cila ka sjellë pasojat e para në territorin francez.

Sipas autoriteteve, tre rajone janë ende nën alarmin e kuq që prej ditës së djeshme nga përmbytjet masive, ndërkohë që qyteti Redon ka qenë pothuajse i izoluar.

E rrethuar nga lumenj, këneta dhe një kanal, zona Redon në Ille-et-Vilaine, në kufi me Morbihan dhe Loire-Atlantique, e cila ka gati 10 000 banorë, është veçanërisht e prekur.

Bashkia e këtij qyteti ka reaguar duke thënë se kulmi i motit të keq ende nuk ka mbërritur dhe me shumë gjasa dita e nesërme do të jetë më e rrezikshmja.

Ndërkohë presidenti Emmanuel Macron ka reaguar në platformën X duke shprehur solidaritetin dhe duke falenderuar ekipet e shërbimit.

”Solidaritet me njerëzit atje që po përballen me përmbytjet. E di mobilizimin dhe gjendjen e krijuar. Faleminderit për punën e bërë me ekipet e tyre dhe shërbimet shtetërore, angazhimin e të cilëve e përshëndes”, shtoi ai.

Në total, që nga e diela, më shumë se 1 000 persona janë evakuuar në rajonin e Ille-et-Vilaine. Këto përmbytje nuk shkaktuan viktima, por patën dëme të konsiderueshme edhe në bujqësi.