Mickoski: Nuk do të lejoj që individë të abuzojnë pozitat e tyre dhe të përfitojnë mbi kurrizin e qytetarëve

Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski sot, në seancën parlamentare për pyetje të deputetëve, deklaroi se gjendja që kanë hasur si Qeveri është alarmante dhe katastrofike.

“Gjendja të cilën e hasëm ishte alarmante dhe katastrofike dhe në një situatë të tillë, duhet të gjeni mënyrën për ta menaxhuar dhe për t’u përballur me të gjitha sfidat”.

Mickoski theksoi se ka mendime të ndryshme dhe të ndara në lidhje me ngrirjen e çmimeve dhe marzheve.

“Ka mendime të ndryshme dhe të ndara për ngrirjen e çmimeve, të marzheve, ngrirjen e marzheve të shpërndarjes etj. dhe gjëja e parë që bëmë ishte zbatimi i Ligjit për praktika të padrejta tregtare. Por, kur bëmë një analizë, kuptuam se ligji praktikisht i referohet një periudhe prej një viti.

Kjo do të thotë që, nëse ligji fillon të zbatohet më 01.01.2025, do të duhet të pritet gjithë viti 2025 për të parë nëse mesatarja e marzhës së fitimit është 10%. Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton që në janar mund të jetë 20, në qershor 3 dhe në fund të vitit e ponderuar duhet të jetë 10%. Fatkeqësisht, kështu është ligji dhe ne nuk mund të shtojmë ose të heqim asgjë.

Dhe këtu ne biseduam me shpërndarësit, prodhuesit, Odën Ekonomike dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, të cilët i kushtuan vëmendje të madhe dhe dhanë rëndësi për të gjetur një gjuhë të përbashkët, me qëllim që të mos zbatojmë politika kaq ofensive dhe restriktive, por që gjithçka të bazohet në një qasje të përbashkët konsensuale, etj.

Dhe si rezultat i kësaj, krijuam të ashtuquajturën “Shporta e Vitit të Ri” dhe me të vërtetë një pjesë e madhe e supermarketeve dhe prodhuesve erdhën në Qeveri, e promovuam këtë së bashku dhe në atë moment, kishte një ndjenjë shprese se, në fund, ndoshta kemi bërë diçka të mirë për shoqërinë, të gjithë së bashku.”, tha Mickoski dhe theksoi se disa supermarkete, prodhues dhe shpërndarës janë shërbyer me truke.

“Por, duhet të jem objektiv bazuar në dëshmitë e qytetarëve, dëshmitë tona personale, si dhe ato të disa prodhuesve, shpërndarësve dhe marketeve, kemi konstatuar se ata shërbehen me truke. Dhe këto truke kontribuan që çmimet e disa produkteve të rriten si rezultat i atyre që u ulën. Ndërsa u rritën pikërisht çmimet e atyre produkteve që përdoren më së shumti nga qytetarët.”

Mickoski tha se është e nevojshme të shihen edhe çmimet në farmacitë dhe në dyqanet për pajisje shtëpiake, duke theksuar se duhet të shihet puna në mënyrë më të gjerë, pasi edhe kjo bën pjesë në shportën konsumatore.

“Nëpërmjet gjithë analizës që kemi bërë, kur analizuam shportën minimale konsumatore, arritëm në përfundimin se ndoshta do të duhet ta zgjerojmë, disi sikur i harrojmë farmacitë. Me të drejtë, pensionistët nuk janë të kënaqur, praktika tregon se në ato vite të jetës ata kanë kontakt më të shpeshtë me farmacitë, ndryshe nga të rinjtë.

Dhe nëse bëni një analizë të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës pozitive, por që ata i përdorin, do të vini re se atje ka çmime që janë 2 deri 3 herë më të larta se ato që janë të prodhimit.

Kështu që ky aksion do të ketë edhe një pjesë të dytë. Po e shfrytëzoj këtë mundësi për të bërë apel edhe për pronarët e farmacive që të mendojnë se ku po shkojmë kështu. Dhe pjesa e tretë, që ka të bëjë me zinxhirët e teknikës së bardhë. Nëse krahasoni në nivel rajonal me fqinjët, një produkt këtu është më i shtrenjtë se produktet në vendet e tjera”, thotë Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se nuk do të lejojë që individë të abuzojnë dhe të shfrytëzojnë pozitat e tyre mbi kurrizin dhe standardin e qytetarëve.

“Ne duhet të shqyrtojmë situatën dhe të qasemi seriozisht si në analizë, ashtu edhe në veprim. Kështu që, kjo është vetëm pjesa e parë, do të ketë edhe një pjesë të dytë dhe të tretë. Do të ketë një gamë më të gjerë. Duhet të zvogëlojmë këto abuzime që po ndodhin në kurriz të qytetarëve.

Përsëri do të them, unë e kuptoj ekonominë e tregut, por individët nuk mund të abuzojnë me pozitat e tyre në kurriz të qytetarëve dhe në kurriz të standardit të qytetarëve”, theksoi Kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski njoftoi se në periudhën që vijon, Qeveria planifikon të ulë taksat parafiskale, gjegjësisht siç tha diçka që do të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve.

“Ne si qeveri planifikojmë që një pjesë të madhe të ashtuquajturave taksa parafiskale t’i ulim, diçka që duhet të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve. Do t’ju kujtoj se jo shumë kohë më parë inflacioni ishte 19, 20, 21 përqind dhe vitin e mbyllëm me një mesatare prej 3,5 përqind, nëse është e madhe apo e vogël, kjo është një temë tjetër. Por, qëllimi ynë është ta ulim të jetë nën 3 përqind, gjegjësisht 2, 2,5 përqind, por për këtë duhet partnerë.

Nëse nuk kemi partnerë, atëherë do të duhet ne si Qeveri të marrim të gjitha masat për ta mbrojtur standardin e qytetarëve dhe besoni se do ta bëjmë këtë”, tha Mickoski.