I morën viçat, por jo përgjegjësinë – Fermeri nga Shkupi detyrohet t’i ushqejë 17 viçat e tij në Burgun e Idrizovës (VIDEO)
Nehat Xhaferi sot shkoi në Burgun e Idrizovës, por jo për të vizituar ndonjë të burgosur, por për t’u dërguar ushqim 17 viçave që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ia ka konfiskuar para dy muajsh. Sipas Xhaferit, pasi inspektorët kryen kontrollet dhe e lejuan të vazhdojë rrugën, njëri prej tyre e kontaktoi më vonë në telefon duke i thënë se kishte marrë urdhër “nga lart” për konfiskimin e viçave.
Në bazë të dokumentacionit që Xhaferi i ka dërguar në Tetovasot, ai pretendon se viçat i janë konfiskuar pa të drejtë. Për këtë rast, ne kontaktuam me inspektorin në Dibër, Adriatik Qor Memedi, i cili ka konfiskuar viçat e Nehat Xhaferit, për të pyetur nëse pretendimet e tij janë të vërteta. Inspektori nuk pranoi të prononcohej për media dhe, në një bisedë të shkurtër telefonike, tha:
“Nuk kam të drejtë të jap informacione, ju lutem drejtohuni në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.”
Ne u drejtuam edhe atje dhe fillimisht kontaktuam zëvendësdrejtorin Fadil Asani, i cili nuk u përgjigj në telefon, por na shkroi një mesazh:
“Përshëndetje, jam jashtë shtetit, prandaj nuk e hapa telefonin. Kontaktoni drejtorin ose nga e hëna e ardhshme do të jem në Maqedoni. Pa problem, për çfarëdo që ju duhet, jam në dispozicion.”
Pas këtij mesazhi, kontaktuam edhe drejtorin e Agjencisë, Oliver Milanov, i cili na dha numrin e një inspektori që, sipas tij, mund të jepte detaje për rastin. Pas më shumë se tre ditësh, më në fund arritëm të marrim një përgjigje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë:
“Në momentin e konfiskimit, personi nuk ka pasur dokumentacionin e nevojshëm për transportin e viçave në atë destinacion dhe të njëjtët nuk kanë qenë të paraqitur,” thanë nga Agjencia.
Sipas ligjit, viçat e konfiskuar nuk kthehen, por këtu Agjencia bie në kundërshtim me veten, pasi dy muaj më vonë Xhaferi është thirrur në telefon që t’u dërgojë ushqim viçave. Këtu lind pyetja: Nëse Nehat Xhaferit nuk i kthehen viçat, pse ai duhet t’u dërgojë ushqim?
Si do që të jetë, Xhaferi nënvizon se do ta çojë procesin deri në fund./TS/
@tetovasot_official I morën viçat, por jo përgjegjësinë – Fermeri nga detyrohet t’i ushqejë 17 viçat e tij në Burgun e Idrizovës #nevrijademi #for #TS #news #tetovasot #foryoupage #ts