Ballkani Perëndimor ballafaqohet me sfida që rrjedhin nga tensione gjeopolitike, ndikimi i huaj përmes informatave dhe përdorimit të ekonomisë, si dhe mbështetjes për rrjetet anti-perëndimore, e që për synim kanë të pengojnë aspiratat e këtyre shteteve drejt anëtarësimit euroatlantik. Kështu deklaroi ambasadori i Finlandës në Kosovë, Mati Nisinen, sipas të cilit, sa i përket Kosovës, narrativet që mbështesin qasjen e kundërshtimit të pavarësisë krijojnë mosbesim dhe mosqëndrueshmëri të infrastrukturës. Sipas tij, këto mund të jenë sulmet, si ato ndaj infrastrukturës kritike, siç është sulmi i fundit që ka ndodhur në Zubin Potok, e që demonstron nevojën për masa të përmirësuara të mbrojtjes.
“Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe multirateral duke përforcuar partneritetin me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, madje edhe në mungesë të plotë të anëtarësimit, në këtë pikë do të fuqizojë infrastrukturën e sigurisë së Kosovës dhe do të sigurojë platformë për iniciativa të reziliencës së përbashkët dhe fuqizimin e publikut dhe institucioneve demokratike. Transparenca, sundimi i ligjit dhe mundësitë e barabarta janë jetike në kuptimin e besimit tek Qeveria. Duke besuar në procese demokratike, Kosova mund të sigurojë që qytetarët e vet të mbesin të bashkuar kundër kërcënimeve të jashtme.”, – deklaroi ambasadori i Finlandës në Prishtinë, Mati Nisinen.
Dimiq: Presioni më i madh në Kosovë vjen nga Vuçiqi
Presioni më i madh në Kosovë vjen nga presidenti serb, Vuçiq, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë përfshihet në Kosovë, thotë gazetari nga Serbia, Radomir Dimiq. Sipas tij, regjimi i Vuçiqit e ka vendosur Listën Serbe, e cila sipas Dimiqit është organizatë e cila është e ndërlidhur me struktura kriminale të organizuar në kontrollin e Beogradit, me qëllim që të minohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës dhe të ndikohet në mënyra të ndryshme në demokraci.
“Lista Serbe është organizatë politike subversive, e cila funksionon në frikësimin e qytetarëve serb, e cila propagandon politikën e Serbisë së Madhe dhe realizon botën e ashtuquajtur serbe të Vuçiqit, e cila po shfaqet këtyre ditëve në mitingjet në Serbi.”, – theksoi gazetari nga Serbia, Radomir Dimiq.
Ndikimi i jashtëm në zgjedhje ndikon në sigurinë nacionale dhe demokracinë e një vendi, theksoi gazetari serb Dimiq, i cili në këtë kontekst përmendi ndikimin rus në zgjedhjet në ShBA, në Moldavi dhe Rumani.