Vetëm pak muaj pasi e mori mandatin për ta drejtuar qeverinë, kryeministri Albin Kurti dha një premtim të madh: Do ta përgatisim padinë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ky premtimi i Kurtit sikurse shumë të tjerë mbeti i parealizuar as për katër vjetësh kur edhe përfundon mandati i qeverisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një intervistë dhënë më 6 janar riktheu në opinion zotimet e ekzekutivit për ta ngritur këtë padi për gjenocid.
“Adresimin e krimeve të luftës e kemi prioritet në kuadër të programit qeverisës. Dhe nëse shohim se cilat janë veprimet që ne i kemi dhënë si zotime, të gjitha i kemi adresuar përveç se në padinë për gjenocid jemi duke punuar. Por, për këtë të fundit nuk kam mundësi që të jap më shumë informacione, për shkak se është tepër proces i ndjeshëm…Në konsultime me ekspertë, por nuk mund as që t’i përmendi si emra të përveçëm për faktin se çfarëdo dhënie e informacionit në raport me këtë çështje mund të dëmtojë Kosovën, duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të mos dhënë llogari për të gjitha krimet që ka bërë në Kosovë gjatë periudhës së luftës”, deklaroi ajo për Kosova Press.
Për të njëjtën temë foli edhe profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, i cili potencoi se qeveria e ka kuptuar se ky është një proces kompleks.
“Qeveritë në vazhdimësi kanë premtuar, edhe qeveria aktuale. Ne e dimë në fillim të mandatit e ka pasur një prioritet padinë për gjenocid, por po kalojnë katër vjet të mandatit dhe akoma nuk e kemi atë padi. Mendoj që edhe kryeministri e ka kuptuar që ky është një proces shumë kompleksiv dhe se nuk është një proces për të eksperimentuar, sepse do të mund ta dëmtojmë shumë shtetin në qoftë se e humbim rastin. Humbja eventuale e rastit do ta rehabilitonte komplet Serbinë për atë çfarë ka bërë. Për këtë çështje të padisë ne duhet konsensus mbi partiak, nacional, akademik, shtetëror, shoqëror, që ta bëjmë këtë padi”, deklaron Bajrami për KP më 6 janar.
Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve. Në GJND mund të iniciojnë procedura vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Mbi 13 mijë civilë të vrarë, mbi 20 mijë të përdhunuar seksualisht, mbi 6 mijë të zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona të zhvendosur gjatë luftës së viteve në 1998-1999 në Kosovë. Serbia vazhdon t’i mohojë krimet që i ka kryer në Kosovë.