Siguria kibernetike/ Miratohet strategjia kombëtare për siguri kibernetike 2025-2028!

Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski, sot në një konferencë për media prezantoi Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025-2028, e cila tha se paraqet një moment historik në procesin e transformimit digjital të vendit. Kjo Strategji vjen në një kohë kur angazhimi ndaj infrastrukturës sonë dixhitale dhe dixhitalizimit në përgjithësi nuk ka qenë kurrë më i madh.

Fatkeqësisht, për më shumë se tre vjet, Maqedonia ka funksionuar pa një strategji kombëtare të sigurisë kibernetike, duke lënë një boshllëk dramatik në gatishmërinë tonë kundër kërcënimeve në zhvillim. Gjatë kësaj periudhe, shtoi ai, ne kemi qenë dëshmitarë të një “rritjeje alarmante të sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve hibride”.

“Ato variojnë nga sulmet e synuara ndaj infrastrukturës kritike dhe institucioneve publike deri te kërcënimet e përhapura me bomba dhe fushatat e dezinformimit që synojnë destabilizimin e shoqërisë sonë” – tha Andonovski.

Incidente të tilla theksojnë nevojën urgjente për një qasje të koordinuar, strategjike dhe të fuqishme për mbrojtjen e ekosistemit dixhital maqedonas.

Për të arritur prioritete e parapara , shtoi ai, “strategjia prezanton masa kritike, të përfshira në një plan veprimi të detajuar dhe një plan financiar tregues”.

“Këto masa kanë të bëjnë me krijimin e një këshilli kombëtar të sigurisë kibernetike për mbikëqyrjen strategjike, në kuadër të këshillit kombëtar të transformimit dixhital. Krijimi i një sistemi të centralizuar të reagimit ndaj incidenteve për të përmirësuar menaxhimin e krizave. Përdorimi i teknologjive të avancuara, të tilla si inteligjenca artificiale dhe mësimi i makinerive, për të përmirësuar aftësitë e zbulimit dhe reagimit të kërcënimeve. Zhvillimi i një kornize ligjore për sigurinë kibernetike – në përputhje me direktivat e BE-së, për të siguruar përgjegjësi të qarta dhe mekanizma zbatues, tha Andonovski.

Sipas tij, kjo strategji paraqet një moment historik në procesin e transformimit dixhital të vendit. Ai tha se dixhitalizimi është i domosdoshëm, por edhe rreziqet janë reale. /tvklan.mk