Shkatërrohet një grup i organizuar kriminal për tregti me drogë, arrestohen 14 persona

Më 18 dhe 19.01.2025, Departamenti për Shkatërrimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, në koordinim me Departamentin për Operacione të Posaçme Policore, nën drejtimin e një prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas një hetimi disa mujor kriminalistik, ka realizuar një aksion të koordinuar policor, ku është shkatërruar një grup kriminal i organizuar me 14 anëtarë, i përbërë nga persona nga Shkupi.

Grupi kriminal për një periudhë të gjatë ka kryer vepra penale në fushën e tregtisë së ndaluar me drogë. Ekzistojnë dyshime të bazuara se organizatori i grupit kriminal, përmes anëtarëve të tij, ka kryer shpërndarje dhe shitje në rrugë të drogës narkotike drejtpërdrejt te përdoruesit.

Gjatë realizimit të aksionit, duke vepruar sipas urdhrave për kontroll në banesa dhe objekte të tjera të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake, janë kryer kontrolle tek 16 persona, në gjithsej 21 lokacione në rajonin e Shkupit dhe të Gjevgjelisë. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar një numër i madh sendesh, për të cilat do të kryhen ekspertiza forenzike. Ndër sendet e gjetura dhe të konfiskuara janë edhe disa pako të mëdha dhe të vogla me substanca pluhur. Gjatë ditës së sotme do të parashtrohet kallëzim penal kundër 14 personave në Prokurorinë Publike kompetente, dhe të njëjtit do të dalin para një gjykatësi të procedurës paraprake.

Duke pasur parasysh se aktivitetet operacionale-taktike ende vazhdojnë në koordinim me prokurorin kompetent, publiku do të njoftohet më tej me më shumë informacione.