Shqipëria, pjesë e “Giro d’Italia 2025”, Rama ndan momente nga eventi në Romë: Do të ndiqet nga 200 televizione

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetin social “Facebook” momente nga eventi i një dite më parë në Romë, për përgatitjet e garës së famshme çiklistike “Giro d’Italia 2025”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë videokartolinë nga Roma, ku Shqipëria u prezantua si destinacioni i sivjetëm i Nisjes së Madhe të Giro d’Italia, që do të ndiqet nga 200 televizione të botës e afro 800 milionë shikues, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë krahas videos.

Për tre ditë në muajin maj, mijëra çiklistë nga e gjithë bota do garojnë në rrugët e Shqipërisë, ku 800 milionë persona do e ndjekin garën drejtpërdrejt.

“Jam shumë i kënaqur të themi që kemi marrë konfirmimin që Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025. E di që zgjedhjet janë shumë dhe ka shumë vende që konkurrojnë këtë nisje të garës që ka 15 vjet që është vendosur dhe për këtë jam edhe më i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë më të mëdhenj e më të pasur. Për t’u treguar po ashtu vendin tonë të mrekullueshëm 800 milionë spektatorëve në 200 stacione televizive në gjithë botën që transmetojnë drejtpërdrejtë ‘Giro d’Italia’”, është shprehur më herët Rama.