Britania dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione të reja ndaj Rusisë – Biden thotë se Putini është vënë tani në një pozitë të vështirë

Presidenti amerikan në largim Joe Biden tha mbrëmë se presidenti rus Vladimir Putin është “në një pozitë të keqe” pasi SHBA dhe Britania e Madhe njoftuan futjen e sanksioneve të reja të koordinuara kundër sektorit energjetik të Rusisë për luftën në Ukrainë.

Është me të vërtetë shumë e rëndësishme që të mos i japim pushim, tha presidenti amerikan për homologun e tij rus.

Qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë njoftuan dje sanksione të reja kundër sektorit energjetik të Rusisë, duke përfshirë Gazpromneft, që synojnë ndërprerjen e “burimit më të madh të financimit” të Kremlinit për të ndihmuar luftën në Ukrainë.

Biden tha në një konferencë për shtyp se sanksionet mund të çojnë në një rritje të çmimit të benzinës me tre ose katër cent për gallon.

Por do të ketë një ndikim shumë më të madh në aftësinë e Rusisë për të vazhduar të veprojë siç ka bërë në drejtimin e luftës, tha Biden.

Pak ditë para inaugurimit të Presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar, Thesari amerikan njoftoi një sërë sanksionesh që synojnë, ndër të tjera, dy kompanitë kryesore ruse në këtë sektor, Gazpromneft dhe Surgutneftgas.

Londra vendosi sanksione për të dyja kompanitë, të cilat, sipas tij, “vetëvete prodhojnë më shumë se një milion fuçi naftë në ditë, e cila me çmimet aktuale kap vlerën e rreth 23 miliardë dollarë në vit”.

Vendimi u dënua menjëherë nga Gazpromneft, një degë e grupit shtetëror Gazprom, si “i pajustifikuar dhe i paligjshëm”, raportuan mediat ruse.

Ndihmës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Dalip Singh, tha se sanksionet janë më të mëdhatë që SHBA ka vendosur ndonjëherë ndaj sektorit energjetik të Rusisë.

“Këto sanksione goditën rëndë të gjitha hallkat kyçe në zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes së naftës ruse, shtoi ai.

Ministria e Jashtme Britanike deklaroi gjithashtu se të ardhurat nga nafta janë “thelbësore për ekonominë ushtarake të Rusisë dhe përfaqësojnë rreth një të katërtën e buxhetit total të Rusisë në vitin 2023”.

Veprimet që synojnë kompanitë e naftës do të zbrazin arkat ushtarake të Rusisë dhe “çdo rubla e marrë nga duart e Putinit do të ndihmojë në shpëtimin e jetëve në Ukrainë”, tha Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy.

Dje Uashingtoni njoftoi gjithashtu sanksione për rreth 200 cisterna që punojnë për nevojat e Rusisë dhe që paraqiten si pjesë e të ashtuquajturës “flota fantazmë” e Moskës, e cila përdoret për të anashkaluar sanksionet. Disa nga këto cisterna janë të regjistruara nën flamurin e Barbados ose Panamasë.

Përveç prodhuesve të naftës dhe anijeve, sanksionet e SHBA-së synojnë të gjithë zinxhirin, duke prekur një numër ndërmjetësuesish, ofruesish të shërbimeve të fushës së naftës, si dhe përfaqësues politikë nga sektori.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se sanksionet do të hyjnë në fuqi më 27 janar.