BDI dhe LSDM shkëmbejnë deklarata të ashpra për tensionet etnike dhe situatën politike në RMV
Partitë opozitare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë së Veriut së fundmi kanë shkëmbyer deklarata me tone të ashpra për tensionet ndëretnike dhe situatën në vend, raporton Portalb.mk.
Në një kumtesë për opinionin, BDI akuzoi LSDM-në se e përdor “albanofobinë” si strategji politike, duke i vendosur shqiptarët si kërcënim ekzistencial për maqedonasit. Nga aty thonë se, partitë maqedonase po manipulojnë opinionin, duke krijuar frikë te shqiptarët, ndërsa kërcënimi real vjen nga ata që mohojnë thelbin identitar të shtetit.
“Sot, partitë maqedonase, duke pasur në krye të qeverisë eksponentë të ‘botës serbe’, po mbjellin tek maqedonasit frikën se shqiptarët janë armiku i tyre. Në realitet, shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk janë kërcënimi ekzistencial i maqedonasve. Kërcënimi i tyre i vërtetë janë ata që mohojnë kishën e tyre, gjuhën e tyre, identitetin e tyre. Ata që duan ta mbajnë Maqedoninë e Veriut të dobët, të izoluar dhe të përçarë, janë ata që po injektojnë këtë psikologji frike. Albanofobia nuk është një ndjenjë spontane e maqedonasve – ajo është një projekt politik, i nxitur dhe i financuar nga interesa të huaja për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut peng të konfliktit dhe pasigurisë. Dhe fatkeqësisht, partitë maqedonase, në vend që të udhëheqin popullin e tyre drejt një të ardhmeje të përbashkët dhe të sigurt, po zgjedhin ta përdorin këtë ndjenjë për përfitime të ulëta politike”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga BDI kujtojnë se gjatë periudhës kur LSDM ishte në opozitë, deri në vitin 2017, kjo parti kishte bërë një fushatë të fuqishme kundër BDI-së, duke e akuzuar për shërbyerjen si “patericë e VMRO-së.”
“Ata tani po ndjekin të njëjtin udhëzim, duke përdorur albanofobinë si një mjet për të fituar pikë politike. Por koha e këtyre lojërave po mbaron. Shqiptarët nuk do të pranojnë të bëhen kurban i politikave të dështuara të LSDM-së apo DPMNE-së apo i agjendave të huaja që punojnë kundër Maqedonisë së Veriut. Ky vend nuk ka të ardhme mbi urrejtjen dhe ndarjet etnike. Ata që sot zgjedhin të nxisin përçarje, nesër do të mbeten vetëm në rrënojat e një politike të djegur, thonë nga BDI.
LSDM, nga ana tjetër, akuzoi kreun e BDI-së Ali Ahmeti për nxitje të tensioneve etnike. Ata theksojnë se LSDM është parti që avokon për paqe dhe bashkëjetesë ndërmjet bashkësive etnike dhe dënon të gjitha tendencat nacionaliste. Në qëndrimin e LSDM-së thuhet gjithashtu se edhe pse BDI dhe VMRO-DPMNE janë rivalë politikë publikë, bashkëpunimi i tyre joformal vazhdon të inkurajohet.
“Retorika e Ali Ahmetit për nxitjen e vazhdueshme të tensioneve etnike si mjet për veprim politik është e papranueshme dhe e rrezikshme për vendin. Politika të tilla dhe filma me uniforma ushtarake janë provokime të papërshtatshme që nuk kanë vend në shoqërinë tonë multietnike. LSDM i konsideron të papranueshme provokimet e qëllimshme etnike të BDI-së, të cilat janë shndërruar në strategjinë e vetme të partisë. BDI nuk duhet të harrojë se shqiptarët në këtë vend duan paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Kur BDI e akuzon LSDM-në për albanofobinë, nuk duhet harruar se në Bordin Ekzekutiv të LSDM-së ka shqiptarë dhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve e votojnë LSDM-në. Kjo sepse LSDM është e vetmja parti që me të vërtetë angazhohet për bashkëjetesë dhe marrëdhënie të mira ndërmjet bashkësive etnike”, thonë nga LSDM.
Sipas LSDM-së, Ahmeti dhe BDI-ja me veprimet e tyre po i mundësojnë VMRO-DPMNE-së që edhe më tutje ta ndezë situatën ndëretnike në vend dhe të përfitojë politikisht.
Deklaratat mes partive po vijojnë sot, kur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në rend dite janë pesë interpelanca që u dorëzuan muajin e kaluar; për zëvendëskryeministrat Izet Meхhiti dhe Ivan Stoilkoviq, për ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni, si dhe interpelanca për deputeten dhe kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rininë, Ilire Dauti.