Në Zhelinë hapet zyra për nxjerrjen e dokumentave personale. Blerim Sejdiu: Ëndërra u bë realitet (FOTO)

Për herë të parë në Komunën e Zhelinës hapet zyrë për Shërbime Administrative të Ministrisë së Brendshme. Qytetarët e Zhelinës tash e tutje mund të aplikojnë për dokumentet personale, pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferi. Në hapjen e kësaj qendre ishte edhe ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, Bilall Kasami kryetari i komunës së Tetovës si dhe nikoqiri i kësaj komune Blerim Sejdiu.

Sejdiu u shpreh se pas shumë viteve kërkesë më në fund bëhet realitet kjo qendër.

“Pas shumë përpjekjeve tona, për herë të parë në komunën e Zhelinës do të mund të nxjerren dokumentet personale, edhe atë Pasaportat, Letërnjoftimet dhe Lejet e vozitjes në Grupçin.
E kam patjetër ta përmend se kjo kërkesë e jona është që nga viti 2018 por gjithmonë kemi hasur në vesh të shurdhër, për shkak se qeveria e kaluar në krye me BDI-në, e ka penguar këtë gjë. Sot, jam i gëzuar që qytetarëve të mi u realizohet një dëshirë dhe kërkesë e kahmotshme, dhe për këtë falenderoj Ministrinë për këtë mundësi që na bëri realitet si dhe duke mos e harruar edhe kontributin e kryeshefit të policisë së Tetovës që kërkesën tonë gjithmonë e ka marrë seriozisht. Urime të gjithëve”, tha Blerim Sejdiu, kryetar i komunës së Zhelinës.