Pasi mediat turke raportuan lajmin tronditës se “Jose Mourinho largohet urgjentisht nga Stambolli për një operacion”, tashmë është shprehur vetë trajneri portugez dhe ka konfirmuar se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
Prej disa ditësh turqit shkruanin se portugezi u largua me urgjencë nga Turqia për t’iu nënshtruar një operacioni për shkak të problemeve shëndetësore dhe njoftime të tilla shkaktuan shqetësim te shumë fansa pasi fillimisht nuk u zbulua se për çfarë bëhej fjalë.
Por Mourinho tani ka postuar një mesazh me video për të thënë se gjithçka është mirë. Ai konfirmoi se ishte një operacion, por edhe siç theksoi, “procedurë rutinë e vogël dhe e shpejtë”.
“Gëzuar Krishtlindjet dhe ju falënderoj për kaq shumë mesazhe. Ju uroj të gjithëve gëzuar festën. Qoftë kjo kohë plot dashuri dhe lumturi për ju dhe familjet tuaja. Për ata që janë shprehur të shqetësuar, mund të konfirmoj se raportet për operacionin tim janë ekzagjeruar shumë, është vetëm një procedurë e shpejtë dhe e vogël”, ka thënë Mourinho.
Portugezi konfirmoi se do të rikthehet në fushë menjëherë pas festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe se do ta kryejë operacionin derisa skuadra është në pushime.
Menjëherë pas kësaj, ekipi i tij Fenerbahçe bëri të ditur se bëhej fjalë për një operacion në tëmth.
Lojtarët e Fenerbahçes, morën disa ditë pushim, ndërsa ndeshja e parë pas pushimeve është kundër Hatayspor më 5 janar.