“Siria nuk është Afganistani”: Jolani mbështet arsimin për gratë

Ahmad al-Shareh, i njohur më mirë si Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqësi i grupit islamist Hay’at Tahrir al-Sham, hodhi poshtë në një intervistë për BBC-në të publikuar të enjten çdo krahasim midis Sirisë pas Asaad-it dhe Afganistanit.

Duke theksuar vlerat dhe historinë “kulturore” të Sirisë, në një intervistë me Jeremy Bowen në pallatin presidencial në Damask, ai pohoi angazhimin e tij për ruajtjen e diversitetit të Sirisë.

“Siria nuk është Afganistani”, tha Ahmad el-Shareh, në një përgjigje indirekte ndaj komenteve të bëra nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken të mërkurën në mbrëmje. “Ato janë dy shoqëri të ndryshme me kultura dhe histori të ndryshme, si dhe me qeverisje të ndryshme”.

Të mërkurën mbrëma, Antony Blinken i kishte bërë thirrje HTS-së që të përmbushte premtimet e tyre për përfshirje në regjimin e ri, duke thënë se ata mund të mësonin një mësim nga izolimi i talibanëve në Afganistan.

“Talibanët u përpoqën të projektonin një imazh më të moderuar kur morën kontrollin e Afganistanit, por qëllimet e tyre të vërteta u zbuluan. Si rezultat, ata mbeten tmerrësisht të izoluar në skenën botërore”, tha Blinken gjatë fjalëve në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në New York.

I pyetur për të ardhmen e arsimimit të grave në Siri, Ahmad el-Shareh tha se “sigurisht” ato do të kenë qasje në arsim, ndryshe nga gratë në Afganistan të cilave iu mohua qasja në arsim.

Ai shtoi se në Idlib, ku HTS-ja ka qeverisur vitet e fundit, “përqindja e grave në universitete është mbi 60 për qind”, sipas tij.

Megjithatë, organizata Siriane për të Vërtetën dhe Drejtësinë zbuloi se të paktën një program, Fakulteti i ri i Shkencave Politike dhe Medias në universitetin kryesor të qytetit, nuk pranon studente femra.

Për çështjen e diskutueshme të konsumit të alkoolit, shefi i HTS-së nuk pranoi të komentojë, duke thënë se vendimi ishte një çështje për një kushtetutë të ardhshme për vendin.

“Çështje si kjo do të duhet të vendosen nga komiteti i ekspertëve që do të hartojë kushtetutën e Sirisë”, tha ai, duke sinjalizuar një qasje më konsultative ndaj qeverisjes.

Ai theksoi më tej rëndësinë e ruajtjes së harmonisë midis grupeve të ndryshme etnike dhe fetare të Sirisë, duke thënë se sipas tij, “revolucioni mund të përfshijë të gjithë”.

Vetëm 12 ditë pas përmbysjes së regjimit 54-vjeçar të familjes Assad, komentet e Ahmad el-Shareh vijnë në një kohë kritike, pasi HTS-ja përballet me një kontroll të shtuar mbi qeverisjen e saj në Idlib dhe vizionin e saj më të gjerë për të ardhmen e Sirisë.

Koalicioni i forcave të opozitës siriane i ka dhënë vetes tre muaj kohë për të vendosur mjaftueshëm stabilitet në vend për të mbajtur zgjedhjet në mars për një qeveri të re siriane.

Marrë dhe përshtatur nga L’Orient-Le Jour për Albanian Post