ASH: Himni në shkolla, hakmarrje ndaj dështimit për të shfuqizuar gjuhën shqipe

Propozimi për të imponuar himnin maqedonas në shkolla të mesme është një hakmarje e Qeverisë ndaj dështimit për të shfuqizuar gjuhën shqipe nga Gjykata Kushtetuese, kjo falë rrezistencës tonë të përbashkët me qytetarët. Këto masa janë vetëm vazhdimësi e politikave të Qeverisë monoetnike për të ngulfatur identitetin shqiptar dhe për të imponuar një nacionalizëm agresiv maqedonas.
Aleanca për Shqiptarët e ka thënë vazhdimisht se himni shtetëror nuk pasqyron realitetin multietnik dhe kohezionin mes bashkësive etnike në vend, por është një himn më shumë etnik maqedonas sesa shtetëror. Ky propozim i Qeverisë nuk do të arrijë as afrimin mes bashkësive as lojalitetin ndaj shtetit, por përkundrazi do të thellojë edhe më shumë hendekun mes bashkësive etnike në vend.
Ne i kuptojmë dhe nuk i arsyetojmë tendecat e VMRO-DPMNE-së për deshqiptarizim të shtetit, pasi këtë e kanë thënë hapur që në fushatë se “Maqedoninë do t’ua kthejmë maqedonasve”, por nuk e kuptojmë se si një zëvendës ministër shqiptar nga koalicioni VLEN pranon të jetë një nga përfaqësuesit e këtij ligji. A po dëshmon kjo se partitë shqiptare që në Qeveri hyjnë pa legjitimitet, nga servil dhe relativizues të vendimeve antishqiptare, tani janë shndëruar edhe në bashkëpunëtorë në këtë fushatë kundër shqiptarëve.

– Aleanca për Shqiëtarët –
ASH: Himni në shkolla, hakmarrje ndaj dështimit për të shfuqizuar gjuhën shqipe