Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi takimin e sotëm me ambasadorin e Republikës së Kazakistanit në shtet, Sadbaldi Burshakov e filloi me sigurinë se takimi do të jetë mundësi e jashtëzakonshme për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave për disa çështje me interes të përbashkët, bëri të ditur pres shërbimi i Kuvendit.
Gashi shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit karakterizohen nga miqësia, mirëkuptimi i ndërsjellë dhe interesi i përbashkët për zgjerim dhe thellim të mëtejshëm, veçanërisht nga aspekti ekonomik.
“Qëndrimet e dy vendeve në lidhje me çështjet kryesore të agjendës ndërkombëtare janë shumë të afërta. Maqedonia e Veriut mbështet iniciativat e Kazakistanit në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimi në nivel multilateral është veçanërisht i theksuar në kuadër të KB-së dhe OSBE-së”, theksoi Gashi.
Ambasadori i Republikës së Kazakistanit, z. Burshakov, shprehu kënaqësinë për mbajtjen e takimit. Ai theksoi se Kazakistani është partner i madh tregtar i BE-së dhe, nga ky këndvështrim, edhe mbështetës i integrimit të vendit tonë në BE.
Burshakovi e theksoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm midis dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e ekonomisë, kulturës dhe të tjera.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan shpresën se bashkëpunimi parlamentar do të thellohet në të ardhmen, veçanërisht në nivel të kryetarëve të parlamenteve dhe grupeve parlamentare të bashkëpunimit.
Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se bashkëpunimi intensiv institucional në të gjitha fushat do të vazhdojë me intensitet të madh edhe në periudhën e ardhshme.