BDI: Në vend të promovimit të bashkëjetesës, Qeveria po nxit përçarje dhe pasiguri në shoqërinë tonë
Nga BDI në një konferencë për shtyp thanë se “e dënojnë përpjekjen e qeverisë për të imponuar frymën anti-Ohër nëpërmjet propozimeve ligjore”.
Nga BDI i referohen ndryshimeve të propozuara në Ligjin për arsimin e mesëm, në të cilat parashihet edhe intonomi i himnit maqedonas në fillim dhe mbarim të vitit shkollor. Dijana Toska nga BDI tha se këto përbëjnë një sulm të hapur ndaj themeleve të barazisë ndëretnike dhe një përpjekje për të vendosur dominim të një etnie.
“BDI dënon me ashpërsi përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të imponuar frymën anti-Ohër nëpërmjet propozimeve ligjore që synojnë krijimin e supremacisë etnike dhe minimin e barazisë multi-etnike, që është thelbësore për stabilitetin dhe ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimet e propozuara në ligjin për arsimin e mesëm, të cilat ndër të tjera parashikojnë: Përdorimin asimetrik të gjuhës dhe alfabetit në në dokumentet pedagogjike, Zhvillimin e aktiviteteve kulturore vetëm në frymën e traditës maqedonase dhe historisë nacionale, duke margjinalizuar kulturën dhe kontributin e komuniteteve të tjera etnike në vend. Paragrafët që përjashtojnë identitetin multi-etnik në shkollat e mesme dhe promovojnë një dominim të një narrative të njëanshme etnike, duke shkelur barazinë e garantuar nga Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta”.
“Këto dispozita përbëjnë një sulm të hapur ndaj themeleve të barazisë ndëretnike dhe një përpjekje për të vendosur dominim etnik, që bie ndesh me frymën dhe qëllimin e Marrëveshjes së Ohrit. Në vend që të promovojë bashkëjetesën dhe përfshirjen, qeveria po nxit përçarje dhe pasiguri në shoqërinë tonë”, tha Dijana Toska.
Ajo tha se zgjidhja e vetme për të mbrojtur të ardhmen e vendit është kthimi në dialogun e hapur dhe respektimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit.