Shteti ia konfiskon Kejvina Kthellës një makinë dhe një orë dore ‘Rolex’

Këtë të mërkurë u konfiskuan pasuri me vlerë tregu rreth 1 milion euro të shtetasit Redjan Rraja dhe personave të lidhur me të, duke i kaluar në pronësi shtetit shqiptar.

Bëhet fjalë për 5 dyqane, dy makina dhe një orë luksoze e markës “Rolex” të konfiskuara ku dy dyqane janë nën emrin e Redjan Rrahjas, 3 të tjera nën emrin e Marsela Çiçës, një makinë dhe një orë dore roleks të Kejvina Kthellës.

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara bëri ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nr. 05, datë 07.02.2024, lënë në fuqi me vendimin nr. 211, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në zbatim të këtij vendimi u bë konfiskimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme:

Një njësi me sipërfaqe 30 m², në emër të shtetasit R. Rr.;
Një njësi me sipërfaqe 76 m², në emër të shtetasit R. Rr.;
Një njësi me sipërfaqe 127.5 m², në emër të shtetases M. Ç.;
Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Ç.;
Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Ç.;
Një automjet në pronësi të shtetasit R. Rr.;
Një automjet në pronësi të shtetases K. K.;
Një orë dore (Rolex).
Pasuritë e mësipërme, të cilat kanë një vlerë tregu rreth 1 milion euro, u konfiskuan me qëllim kalimin në favor të shtetit dhe ju dorëzuan Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.