Përmirësimi i kushteve për hemodializë dhe një ambient i rinovuar për pacientët në repartin e nefrologjisë në Strugë
Pas gati katër dekadash ekzistence, në ISHP Nefrologji Strugë janë kryer punë të mëdha ndërtimore, njëkohësisht është investuar edhe në përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve, falë projektit “Zhvillimi i balancuar rajonal i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës – faza 2” përmes programit “Projekt investues me komponentë digjitale të skemës së granteve” të realizuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës.
Zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale, Erxhan Selimi, së bashku me drejtorin e institucionit, Jetmir Ziba dhe drejtorin e Qendrës për Zhvillimin e Rajonit Planor Jugperëndimor, Valon Kaba, kanë vizituar sot institucionin, i cili shënoi zyrtarisht zbatimin e projektit në vlerë prej 26 milionë denarë.
Në kuadër të projektit, në godinën kryesore të objektit janë vendosur panele fotovoltaike, ka sistem ngrohjeje diellore të ujit, sistem të ri për ngrohje/ftohje, agregat me naftë, është bërë ndryshimi pajisjeve mobilerike, është përmirësuar dhe sistemi i ndriçimit brenda objektit. Në të njëjtën kohë, në repartin e terapisë intensive u instalua sistemi i njoftimit të spitalit me valë, sistemi qendror i shpërndarjes së oksigjenit, si dhe u përditësua faqja e internetit e institucionit me mundësinë e caktimit elektronik të kontrolleve dhe dializës. Investime janë bërë edhe në objektin “Holiday Dialisis”, i cili tashmë është tërësisht i rinovuar, ka sistem të ri ngrohje/ftohje dhe ventilim, inventar të ri (karrige mjekësore, pajisje të sallës së infermierisë dhe mobilje të tjera të specializuara të nevojshme).
“Institucioni tashmë i ka të gjitha kushtet për trajtimin në kohë dhe të plotë të personave me sëmundje të veshkave. Një sistem qendror furnizimi me oksigjen për tre salla të hemodializës dhe kujdesit intensiv, u ble një sistem osmozë reverzibile, tërësisht u rinovua reparti i ‘dializës për pushime’ dhe tani mund të përdoret gjatë gjithë vitit dhe kapaciteti i trajtimit ditor u rrit në 60 persona. Tashmë kemi filluar të ulim kostot e energjisë elektrike, falë çatisë dhe fasadës së rikonstruktuar dhe paneleve diellore të instaluara në çatinë e godinës. Ky investim kapital është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe një hap i madh përpara për përmirësimin e shërbimeve mjekësore që ne ofrojmë”, tha drejtori i ISHP Nefrologjisë, Ziba, i cili informoi se me projektin është arritur efikasiteti energjetik i objektit dhe si rezultat i modernizimit të faqes së internetit të institucionit, tashmë ekziston mundësia e caktimit elektronik të ekzaminimeve dhe dializës.
“Kam nderin të jem i pranishëm në zyrtarizimin e sotëm të projektit për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në këtë institucion, i cili është i një rëndësie të jashtëzakonshme duke pasur parasysh se çdo vit kujdeset për mbi 14 mijë pacientë nga vendi dhe më gjerë. Shumë faleminderit për mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës, me ndihmën e së cilës i zgjidhëm të gjitha anomalitë e objektit, si nga aspekti infrastrukturor ashtu edhe nga ana mjekësore. Tashmë institucioni ofron shërbime dhe trajtim sipas të gjitha standardeve në interes të pacientëve të tij, qytetarëve tanë, por edhe atyre nga rajoni dhe janë krijuar kushte për zhvillimin e turizmit shëndetësor, i cili është i rëndësishëm jo vetëm për Strugën, por edhe për të gjithë rajonin jugperëndimor, tha zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale, Erxhan Selimi.
Drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Rajonit Planor Jugperëndimor, Valon Kaba, vuri në dukje përfitimet e shumta të investimit në institucion.
“ISHP Nefrologjia Strugë është i vetmi spital në rajonin planor jugperëndimor që trajton zonën e sëmundjeve të veshkave, prandaj zbatimi i projektit që përmirësoi kushtet për kujdesin ndaj pacientëve, si dhe kushtet e punës së personelit mjekësor, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky projekt, së bashku me projektin për rindërtimin e spitalit për sëmundje të zemrës në Ohër, vendndodhjen e objekteve, bukuritë natyrore që i rrethojnë, në masë të madhe krijojnë kushte për zhvillimin e turizmit shëndetësor në rajon”, tha Kaba.
Vlera e gjithë projektit është 26.043.286 denarë. Ministria siguroi 11.324.000 denarë, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim merr pjesë me 9.200.000 denarë, institucioni ka pjesëmarrje financiare me 4.200.000 denarë, ndërsa pjesa tjetër janë mjete nga buxheti i Komunës së Strugës.