Ukraina e mohon se forcat ruse janë futur në rajonin Sumi

Ukraina i ka hedhur poshtë lajmet se forcat ruse janë futur në rajonin e saj verilindor, Sumi, duke i cilësuar ato si pjesë të fushatës dezinformuese të Moskës gjatë kohës kur Rusia i godet zonat civile në verilindje dhe jug të Ukrainës.

Në mediat sociale u raportua të martën se trupat ruse ishin futur në Miropillia të Sumit nga rajoni rus i Kurskut, përmes fshatit kufitar Oleksandria.

“Në këtë kohë nuk ka të dhëna nga ushtria për ndonjë ndryshim të gjendjes në kufi, gjendja është nën kontroll”, tha guvernatori rajonal Volodymyr Artyukh, në Telegram.

Ndërkohë, zëdhënësi i shërbimit kufitar të Ukrainës, Andriy Demchenko, tha për televizionin KYIV24 se të lajmet për gjoja thyerjen e kufirit në rajonin e Sumit nga forcat ruse janë të rrejshme.

“Njësitet kufitare të Ukrainës nuk kanë parë asnjë përpjekje për t’u futur, apo përpjekje për luftime”, tha Demchenko, duke shtuar se do të ishte shumë e vështirë për forcat ruse të kalojnë përmes fushës moçalore të rajonit kufitar.

Ndërkohë, në rajonin e Hersonit një grua 74-vjeçare humbi jetën dhe disa njerëz u plagosën nga një sulm rus me dronë në fshatin Odradokamianka. Trupat ruse kryen dy sulme të tjera me raketa në qytetin Zlatopil të rajonit të Harkivit, duke plagosur 10 njerëz, përfshirë tetë gra, sipas guvernatorit rajonal Oleh Synyehubov.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi më 10 dhjetor se e ka pushtuar fshatin Zhovte afër Pokrovskit, i cili është qendër e rëndësishme për furnizim për Ukrainën në rajonin lindor të Donjeckut. Ukraina ende nuk ka komentuar mbi këtë pretendim, i cili nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia po përpiqen t’i forcojnë pozitat e tyre për negociata para fillimit të mandatit të dytë të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në janar.

Deklarata e Trumpit se do t’i japë fund luftës gati trevjeçare “brenda 24 orëve” pasi të marrë detyrën, ka shkaktuar shqetësime në Kiev, duke ngjallur frikë se Ukraina mund të detyrohet të dorëzojë territore të mëdha për të arritur paqen.

Nga ana tjetër, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) njoftoi më 10 dhjetor se e ka arrestuar një shtetas me nënshtetësi të dyfishtë, ruse dhe gjermane, nën dyshimin për planifikimin e një akti sabotimi në një hekurudhë në Nizhni Novgorod. Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar mbi këtë pretendim.

Zyrtarët perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për arrestimin e shtetasve të huaj dhe personave me shtetësi të dyfishtë për arsye politike, duke thënë se individë të tillë po ndalohen për t’u përdorur si karta pazari në shkëmbimet e ardhshme të të burgosurve.

Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë gjithashtu se gati 900 rusë janë dënuar për tradhti, spiunazh ose bashkëpunim me qeveri të huaja që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia./REL