Gjermania me politika shumë agresive për të tërhequr njerëz të kualifikuar, Shqipëria merr masa

Në fokus të këtyre politikave janë sidomos punonjësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas autoriteteve gjermane, deri në fund të këtij viti planifikohet lëshimi i 20 mijë vizave profesionale, ndërsa nevoja vjetore e Republikës Federale për punëtorë arrin në 400 mijë persona.

“Gjermania po ndjek politika agresive dhe afruese për të përmbushur këtë deficit. Ndër hapat kryesorë janë heqja e burokracive për lejet e punës, moskërkimi i diplomave apo kualifikimeve për disa profesione, dhe kërkesa minimale për njohjen e gjuhës gjermane për pozicione që e kërkojnë atë. Për punët e thjeshta, aftësia për kryerjen e detyrës është e mjaftueshme”, u shpreh një zyrtar i sektorit të punësimit. Nga ana tjetër, Shqipëria po ndërmerr masa për të ndaluar largimin e fuqisë punëtore drejt vendeve si Gjermania.

Përmes rritjes së pagave në administratën publike dhe nxitjes për reflektim të sektorit privat në këtë drejtim, Shqipëria synon të rrisë tërheqjen e fuqisë punëtore brenda vendit.

Përmirësimi i arsimit profesional është një tjetër prioritet.

“Në shkollat e mesme po shtohen dy pozicione të reja: mësuesi i karrierës dhe mësuesi i cilësisë. Këta mekanizma do të ndihmojnë në identifikimin e prirjeve të nxënësve dhe ruajtjen e standardeve në arsim”, tha eksperti për punësimin, Erion Muça, njofton tch.

Gjermania dhe Shqipëria po ndjekin qasje të kundërta, duke treguar se balanca mes kërkesës dhe ofertës për punëtorë mbetet një sfidë globale.