Nga mbledhja e 22-të e Qeverisë: Konkluzionet pas zhvillimeve me Stadiumin e ri në Tetovë, dhe solli disa vendime tjera
Nga mbledhja e 22-të e Qeverisë: Konkluzionet pas zhvillimeve me Stadiumin e ri në Tetovë; Vendim për regjistrimin e studentëve/kadetëve në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihaillo Apostollski” – Shkup, në vitin akademik 2024/2025; Vendim me të cilin Ministria e Mjedisit u ka dhënë prona të tundshme disa komunave, për nevojat e shkollave të përfshira në programin GLOBE; Vendim për pjesëmarrjen e Armatës në operacionin e NATO-s, “KFOR” në Kosovë
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi kërkoi mendim nga Gjykata Kushtetuese, shqyrtoi rastin me shfrytëzimin dhe zhvillimet rreth stadiumit të ri në Tetovë dhe solli disa konkluzione.
Qeveria në shqyrtimin e kishte parasysh nismën e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin dhe ku tregohet se Stadiumi i ri i futbollit, me vendim të Qeverisë në vitin 2015, i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim Komunës së Tetovës. Komuna, siç theksohet, pa bazë ligjore, ia ka dhënë Stadiumin në shfrytëzim të përhershëm NP “Tetova transport”. Edhe kryetari i komunës së Tetovës, Komuna Tetovë dhe NP “Tetova transport” në një manifestim publik kanë promovuar projektin për rrënimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit.
Qeveria në arritjen e konkluzioneve të mbledhjes së sotme ka marrë parasysh edhe dispozitat e Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet në pronë shtetërore dhe me sendet në pronë komunale, sipas së cilës kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Është konstatuar se Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë informacione të plota lidhur me statusin e Stadiumit të Ri të Futbollit – Tetovë, PK nr. 11476. Në ndërkohë, t’i dërgohet një udhëzim Komunës së Tetovës, që të ndërpriten punimet në terren, derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit. Gjithashtu, Qeveria vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e këtij rasti dhe të deklarohet për Iniciativën e paraqitur për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së veprimit në të. Qeveria konkludoi gjithashtu se duhet të shqyrtohen bazat ligjore, sipas Kodit Penal, për fillimin e kallëzimit përkatës pranë organeve kompetente në lidhje me këtë rast.
Qeveria me propozim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendim me të cilin prona të tundshme në pronësi të ministrisë u jepen përgjithmonë disa komunave në vend, për nevojat e disa shkollave fillore në Gjevgjeli, Negotinë, Vallandovë, Manastir, Prilep, Tetovë, Kumanovë, Probishtip, Rankovcë, Veles, si dhe shkollat në komunat e Shkupit: Qendër dhe Karposh.
Qëllimi është zbatimi i programit GLOBE në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, siç është theksuar, është bartëse e aktiviteteve të programit GLOBE dhe me vendim të Qeverisë është përgjegjëse për sigurimin e kimikateve dhe instrumenteve për kryerjen e matjeve dhe transferimin e tyre në shkollat e përfshira në program. Bëhet fjalë për prona të tundshme që do të jenë në dobi të shkollave në zbatimin e projektit dhe të cilat përmes furnizimit publik janë siguruar nga ministria e resorit përkatës.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, miratoi Vendim për përcaktimin e numrit të kandidatëve të cilët regjistrohen në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihaillo Apostollski” – Shkup, në vitin akademik 2024/2025, arsimimi i të cilëve financohet nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me vendim është përcaktuar se në vitin akademik 2024/2025 studentë të rregullt do të regjistrohen 44 studentë/kadetë, prej të cilëve 25 studentë/kadetë për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes – Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut; si dhe 3 studentë/kadetë për nevojat e Ushtrisë së Malit të Zi; 6 studentë/kadetë për nevojat e Forcave të Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës; 5 studentë për nevojat e menaxhimit të krizave dhe 5 studentë për nevojat e mbrojtjes dhe shpëtimit.
Sipas Ligjit për Akademinë Ushtarake, siç sqarohet nga ministria resoriale, në Akademi mund të studiojnë edhe pjesëtarë të forcave të armatosura të vendeve të huaja dhe shtetas të huaj.
Qeveria me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes ka miratuar edhe Vendim për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në operacionin e NATO-s, “KFOR” në Republikën e Kosovës.