Pas kallëzimit paraprak të djalit të një të akuzuarit në një lëndë që po zhvillohet në Prokurorinë Publike, MPB realizoi aksion në të cilin u privua nga liria gjykatësi suprem aktiv, Naqe Georgiev i cili u kap në flagrancë derisa po kryente veprën penale.
Prokurori i lëndës, lëshoi urdhër për zbatimin e procedurës hetimore për dy persona për të cilët ka dyshime të bazuara se kanë kryer veprën penale “Shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
Sipas informatave të publikuara në disa media, në këtë rast është i përfshirë edhe ish avokati i popullit, Ixhet Memeti si i dyshuari i dytë, zyra e të cilit u bastis mbrëmë. Memeti momentalisht është anëtar dhe zëvendëskryetar i Këshillit Gjyqësor, megjithatë nuk ka imunitet.
“Sipas informatave të marra nga ankuesi, i dyshuari i parë, duke përdorur pozitën e tij zyrtare dhe ndikimin e supozuar, ka premtuar favore për një të akuzuar (babai i denoncuesit) në një procedurë tjetër që po zhvillohet para Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni dhe kanë përfaqësuar rrejshëm se do të ushtrojnë ndikim së bashku me të dyshuarin e dytë”, thonë nga Prokuroria Publike.
Përpos propozimeve për bastisje në disa lokacione, prokuroi dorëzoi edhe propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për gjykatës të gjykatës më të lartë, i cili gëzon imunitet, propozimi për paraburgim iu dorëzua Këshillit Gjyqësor, i cili në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur mesnatën e mbrëmshme i mori imunitetin Georgievit.
Me marrjen e imunitetit, Këshilli Gjyqësor e aprovoi paraburgimin e tij, ndërsa e largoi edhe nga ushtrimi i funksionit gjykatës.
“Këshilli Gjyqësor e miratoi kërkesën për aprovim të paraburgimit të gjykatësit të Gjykatës Supreme të RMV-së të parashtruar nga një gjykatës në procedurë paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe përkohësisht e largoi nga kryerja e funksionit të gjyqtarit në Gjykatën Supreme të RMV-së, deri në përfundim të plotfuqishëm të procedurës penale”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.
Nga prokuroria kanë shtuar se, dëshmitë e mbledhura dhe bastisjet e kryera deri më tani, japin bazë ligjore që prokuroi i lëndës të propozojë paraburgim vetëm për të dyshuarin e parë që u kap në flagrancë, ndërsa për të dyshuarin e dytë deri më tani nuk ka bazë për masë më të rreptë.