Shkruan: Sadije Aliti
“Kolosët e sportit”është libri më i fundit i autorit Shaban Sinani, që u promovuan në hapësirat e Pallatit të Kulturës në Tetovë në praninë e shumë të ftuarve në këtë event si yje të sportit, gazetarë, personalitete nga jeta publike, miq dhe familjarë.
Ky libër është fryt i një pune shumëvjeçare, të vazhdueshme dhe të palodhshme, në ndjekje permanente të çdo rezultati që kanë shënuar kolosët e sportit shqiptar, pra ky libër ngërthen në vete rrugëtimin dhe rezultatet kulminante të sportistëve dhe klubeve më të mira që kanë vepruar ndonjëherë në këtë nën qiell, me qëllimin e vetëm që të dëshmohet se rruga drejt suksesit gjithmonë është e mundur, nëse gjithsecili është i gatshëm që të jap më të mirën nga vetja, e në momente të duhura të tejkalojë edhe veten.
Sadije Aliti redaktore e librit mes tjerash tha: ”Monografia paraqet një arritje të sportit shqiptar, libri përmban një ditar të kujtesës të pagëzuar “Kolosot e sportit” arritje e rezultate të shënuara dekadave të fundit që i tangojnë dy shekuj. Sporti është pothuajse aq antik sa edhe zhvillimi i inteligjencës së njeriut, libri përfshin të gjitha llojet e sporteve me personazh kryesorë ata që kanë qenë më të suksesshëm ndër vite”.
“Libri me intervista ” Kolosët e sportit” mbetet një libër kujtese, një rrëfim kundër harresës i yjeve që i dhanë sportit shqiptar përkushtimin, shpirtin e suksesit, nderin dhe jehonën e frymëzimit për brezat e ardhshëm. Edhe me këtë libër, gazetari shumëvjeçar i sportit, Shaban Sinani, ndjek gjurmët e protagonistëve të përbotshëm shqiptar, duke sjellë rrëfimin e tyre, gjithë gamën e suksesit të tyre. Librat e këtillë janë të domosdoshëm, sepse sjellin substancën e suksesit, por edhe për hershmërinë e frymëzimit që kolosët e sportit shqiptar e ndezën me kohë”-tha në fjalën e tij Bardhyl Zaimi.
Për nder të fisnikërisë dhe përkrahjes morale fjalën e morri Idriz Gashi nga Shqipëria, punëtor i palodhshëm sportiv e sidomos për futbollin për fëmijë, i cili dhuroi një top futbolli me shqiponjën kuq e zi.
Autori i librit në fjalë Shaban Sinani theksoi: ”Falënderues ndaj të gjithëve që dhatë kontribut në përpilimin e librit “KOLOSËT E SPORTIT”, falënderues ndaj çdo sportisti që gjithmonë në mënyrën më të mirë e promovojnë vendin dhe kombin tonë, falënderues ndaj çdo kolegu gazetar për kontributin që japin në lartësimin e profesionit tonë të shenjtë. Të rikujtojmë se vetëm me punë të palodhshme, disiplinë, përkushtim dhe vizion të qartë, do arrijmë që të japim më të mirën nga vetja, që të vulosim të arriturat kulminante, mirëpo gjithashtu duhet që të rikujtojmë se historia e rrugëtimit drejt të arriturave duhet të përjetësohet në letër, për të qenë i paharruar mundi i çdonjërit nga ne”.
Në vijim u prezantuan edhe ca biseda e vlerësime të shkurta nga miqtë e autorit, si kampioni Olimpik Shaban Trstena, gazetari Faton Zylbeari, profesori Miftar Zyberi, zv.kryetari në Federatën e Karatesë Besnik Murati, nënkryetari i parë shqiptar në FFM, Rexhep Bexheti, trajneri i KV Shkëndija Durim Luma,analisti Qenan Aliu e tjerë.