Fronti Europian mund t’i humbë dy deputetë? Ahmeti: I dimë në detaje marrëveshjet në podrumet e kuqe
Vendimi i Gjykatës Administrative dhe i KSHZ-së që të rivotohet në 6 vendvotime në Njësinë e pestë zgjedhore dhe në një vendvotim në Njësinë e gjashtë zgjedhore ka mbledhur sot Kryesinë e BDI-së.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se VMRO-DPMNE dhe LSDM po bëjnë çmos që t’i merren dy deputetë Frontit, por që theksoi se i dinë të gjitha detajet nga marrëveshjet e fshehta.
“Nuk është çështja këtu nëse i humbë apo i fiton Fronti Europian dy mandate. Fronti Europian ka fituar zgjedhjet më 8 maj 2024. Fitorja e Frontit është vulosur më 8 maj. Të gjitha akrobacionet politike, marrëveshjet e fshehta nëpër podrume janë të papranueshme dhe janë të dënueshme. Sepse përbëjnë hap pas. Dhe asnjë hap pas nuk duhet të tolerohet por të gjitha palët duhet të reflektojnë. Ne i dimë të gjitha në detaje marrëveshjet në podrumet e kuqe, marrëveshjet politike, dhe në të ardhmen do të dalim në detaje për të gjitha marrëveshjet ku do t’i demaskojmë në opinion”, deklaroi Ahmeti.